Sport

Super e diela në Bundesligën gjermane

Ndeshjet e së dielës në Bundesligën e Gjermanisë mezi po priten nga miliona tifozë në mbarë botën. Takohen mes vete skuadrat e kreut të tabelës.

Dortmundi të dielën në orën 17:30 zhvillon në udhëtim ndeshjen me liderin e tabelës Union Berlinin, ndërsa vendi i dytë Freiburgu, luan në udhëtim te Bayern Munichut në orën 19:30. Këto ndeshje i takojnë xhiros së 10-të të Bundesligës.

Ndryshe nga edicionet e kaluara kur Bayerni apo Dortmundi shkëputeshin në tabelë, tani kanë mbetur prapa. Kanë nga 16 pikë, katër më pak se Union Berlini, dhe dy më pak se Freiburgu.

Njohës të futbollit thonë se gjasat janë të mëdha që skuadrat më pak të njohura në Gjermani, të sigurojnë Ligën e Kampionëve në këtë sezon.

Bayerni ka qenë kampion i padiskutueshëm në dekadën e fundit. Fitoi 10 herë rresht Bundesligën.

Unioni dhe Freiburgu kanë shfaqur paraqitje shumë të mira në vitet e fundit nën drejtimin e trajnerit Urs Fischer dhe Christian Streich. Streich është aktualisht trajneri që ka drejtuar më së shumti një skuadër në Gjermani. Është në krye të klubit të Freiburgut që prej vitit 2012. Fischer po e udhëheqë Union Berlinin nga viti 2018.

Freiburgu është i pamposhtur në ndeshjet si mysafir në këtë sezon, me formacionin 4-2-3-1.

Sheraldo Becker është një prej lojtarëve më të rrezikshëm tek Unioni sivjet. Ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhuruar tri asistime këtë sezon. Becker i kaloi 10 vite tek Ajaxi para transferimit në Bundesligë.

Një statistikë interesante për bavarezët është se kanë marrë vetëm 16 pikë në nëntë ndeshje. Është shifra më e vogël e marrjes së pikëve që prej edicionit 2010-11, kur Juergen Kloppi me Dortmundin e fituan titullin.