Sport

Përballja e Rexhbeçaj me trajnerin që nuk ia dha rastin

Elvis Rexhbeçaj vjen nga ekipi i të rinjve të Wolfsburgut dhe përfaqëson vlerat më të rëndësishme të klubit - punë, futboll, pasion. Por, kurrë nuk bëri përparim te Wolfsburgu, që garon në Bundesligë.

Niko Kovaq njihet si trajner punëtor që dëshiron t’i shohë lojtarët që luftojnë në fushë, të vrapojnë dhe të punojnë për të arritur sukses. Këtij lloj personaliteti i përket edhe Rexhbeçaj, i cili ka vlera të shumta.

Por, pse lojtari i zhvilluar në Wolfsburg nuk hyri në listën e ngushtë të trajnerit Kovaq? Për këtë nuk jep shpjegim as vetë Rexhbeçaj.

“Unë nuk e di, duhet ta pyesni trajnerin. Në fakt do të përshtatesha, sepse vij nga puna dhe pasioni”, është përgjigjur Rexhbeçaj para ndeshjes kundër ish-ekipit të tij, Wolsfurgut.

Ai me Augsburgun luajnë kundër Wolsfugut të shtunën, në kuadër të xhiros së nëntë të Bundesligës. “Ishte e qartë se do të kërkoja një sfidë të re nëse do të informohesha me kohë se nuk do të luaja rregullisht”, është shprehur mesfushori 24-vjeçar, që për ekipin e parë të Wolfsburgut ka luajtur 32 ndeshje dhe ka realizuar dy gola e dy asistime.

Në tetë ndeshje në ekipin bazë

Në Wolfsburg, Rexhbeçajt nuk i premtohej hapësirë e rregullt, ndërsa në Augsburg për momentin gjërat janë ndryshe. Ai ka qenë titullar në tetë ndeshjet e para të edicionit aktual në Bundesligë dhe u zëvendësua vetëm dy herë në fund të takimeve.

“Unë jam pritur shumë mirë nga klubi. Tashmë jam vendosur në banesën time dhe ndihem mirë”, thotë mesfushori.

Augsburgu fitoi tri ndeshje radhazi, përfshirë edhe kundër Bayernit (1:0). Filozofia e klubit i shkon për shtati Rexhbeçajt.

“Të gjithë vrapojnë për të gjithë, lojtari pas mundohet ta përmirësojë gabimin e lojtarit që është para”.

Kjo mënyrë e paraqitjes kërkohej që prej fillimit nga trajneri Enrico Maassen. “Por, rezultati nuk ishte i mirë, ne nuk kishim fuqi për ta bërë këtë”, thotë Elvisi.

Lëndimet e shumta lanë gjurmë në Augsburg, shpjegon Rexhbeçaj. “Na godit shumë pas ndeshjes me Herthan, por na afruan edhe më shumë dhe në Bremen e patë se çfarë mund të bëjmë”. Në “Weser Stadium”, lojtarët e Augsburgut i kthyen gjërat me një fitore 1:0. Ata kanë dymbëdhjetë pikë dhe madje janë favoritë në letër për ndeshjen në shtëpi kundër Wolfsbugut.

Rexhbeçaj thotë se është bërë punë e madhe.

“Tabela nuk gënjen, ne kemi punuar shumë”.

Ndeshjet kundër Wolfsburgut tashmë janë normale

Duelet kundër Wolfsburgut janë bërë normale për Rexhbeçajn. “Ndeshja ime e fundit për Wolsfsburgun ka qenë më 12 dhjetor të vitit 2019 kundër St. Etienne në Ligën e Evropës. Ishte shumë kohë më parë, por unë mezi pres të shoh disa fytyra të njohura”.

Ai ka raport të mirë me portierin rezervë të Wolfsburgut, Niklas Klinger.

“Shumë nga lojtarët e asaj kohe tashmë janë larguar”, tregon ai.

Rexhbeçaj vazhdon ta ndjekë ish-klubin e tij, por nuk ka kohë të shqetësohet për rezultatet jo të mira të këtij fillim sezoni. “Padyshim që ka arsye për këtë, por jam shumë larg për të gjykuar”.

Me moton - punë, futboll, pasion, Rexhbeçaj me Augsburgun synojnë fitore të shtunën. Augsburgu synon të mbledhë 40 pikë, që do të ishin të mjaftueshme për të mbetur lart në tabelë.
“Ne duam ta plotësojmë këtë normë të pikëve sa më shpejt që është e mundur”, shpjegon ai.

24-vjeçari, i cili ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me Augsburgun, thotë se do ta japë maksimumin. “Synoj të bëj paraqitje të mira nga viti në vit. Atëherë të shohim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Rexhbeçaj.