Sport

Ten Hagu falënderon Cityn që i dha mësim Unitedit duke e demoluar në derbi

Foto: Reuters
 

Trajneri i skuadrës së Manchester Unitedit, Erik ten Hag falënderoi homologun e tij, Pep Guardiolën dhe Manchester Cityn që ia shfaqën realitetin e ekipit të tij në derbin e së dielës së shkuar, në të cilin kampioni i Anglisë demoloi “Djajtë e Kuq”. Gjiganti nga “Old Traffordi” është në procesin e rindërtimit pas largimit të Sir Alex Fergusonit, kampanjës së mjerë që pa shkarkimin e Ole Gunnar Solskjaerit dhe dështimin e trajnerit të përkohshëm Ralf Rangnick. Sezoni i dobët i Unitedit do të thotë se ata aktualisht po përgatiten për aksionin në Ligën e Evropës dhe jo për futbollin e Ligës së Kampionëve, me skuadrën që niset për në Qipro për t'u përballur me Omonia Nicosian pas humbjes poshtëruese 6:0 nga Manchester City. Erling Haaland dhe Phil Foden shënuan të dy “hat-trick” në një goditje që tregoi hendekun e madh midis skuadrave nga qyteti i njëjtë, Manchesteri. Dueli mes Omonias dhe Unitedit, zhvillohet të enjten prej orës 18:45 dhe i takon Grupit E të Ligës së Evropës.

“Natyrisht që ishte një ditë e vështirë. Si gjithmonë ne analizojmë dhe e bëjmë atë të vështirë, realitetin. Ishte një kontroll realiteti, kështu që ne duhet të mësojmë prej tij dhe të vazhdojmë. Ju gjithmonë respektoni kundërshtarin, por ne do t'u përmbahemi filozofisë, rregullave, parimeve tona. Në taktika ndonjëherë, edhe për të befasuar kundërshtarët, duhet të sjellësh diçka ndryshe në lojën tënde dhe këtë do ta bëjmë edhe për të ardhmen”, tha Ten Hag të mërkurën. “Por ne mund të kemi shumë besim në lidhje me këtë teori, kur mposhtni Arsenalin, Liverpoolin dhe tani ne marrim një kontroll realiteti me Cityn. Kështu që, ne e dimë se duhet të rritemi. Pra, faleminderit për mësimin, nga Pep dhe City. Ne do ta marrim atë dhe duhet të kuptojmë se duhet t'i bëjmë gjërat shumë më mirë”.