Sport

Pas insistimit, Prishtina luan në “Fadil Vokrri”

Ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Dukagjinit të Klinës ishte në dyshim për t’u zhvilluar të shtunën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Por, të mërkurën mbrëma, Prishtina njoftoi se ndeshja e xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës në futboll megjithatë do të luhet të shtunën, por jo në terminin që më herët ia kishte caktuar Federata e Futbollit të Kosovës (FFK). Pra, Prishtina – Dukagjini është vendosur të luhet të shtunën nga ora 20:00.

“Hajde edhe ti, të përkrahim së bashku klubin e zemrës. Krejt Prishtina n’stadium”, shkruante në njoftimin e Prishtinës në “Facebook”, ku ishte njoftuar se dueli ndaj Dukagjinit do të luhet në orën 20:00, të shtunën.

Drejtori i klubit “bardhekaltër”, Artan Osmani, ka thënë se kanë rënë dakord me Federatën e Futbollit të Kosovës që ndeshjen ndaj Dukagjinit ta zhvillojnë të shtunën nga ora 20:00. Ai tha se fillimisht kishin kërkuar që kjo ndeshje të luhej prej orës 18:00, por u dakorduan për dy orë më vonë për shkak se në stadium luhet edhe një ndeshje tjetër të njëjtën ditë. Të shtunën në këtë arenë luajnë përfaqësueset U17 të Italisë dhe Finlandës. Ndeshja i takon rundit kualifikues për Euro 2023. Pos në Prishtinë, ndeshjet e përfaqësueseve U17 luhen edhe në stadiumin “Zahir Pajazit” në Podujevë. Ndeshjet luhen të mërkurën, të shtunën dhe të martën e ardhshme. Grupi 8 përbëhet nga Finlanda, Greqia, Italia dhe Kosova. Kosova dhe Italia luajtën në “Fadil Vokrri” të mërkurën, ndeshje të cilën italianët e fituan me rezultatin e thellë 5:2.

“Kërkuam që ndeshjen ta luajmë të shtunën në ora 18:00, por meqë kishte lojë nga ora 16:00, atëherë u dakorduam që ndeshjen ndaj Dukagjinit ta zhvillojmë nga ora 20:00. Nuk patëm kurrfarë telashe. Ne sigurisht se të gjitha ndeshjet si vendas do t’i luajmë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’”, ka thënë Osmani, të mërkurën.

Në fakt, ka pasur përplasje për stadiumin “Fadil Vokrri” në mes të Prishtinës dhe FFK-së, javën e kaluar. Për shkak se në stadiumin e qytetit në Prishtinë luhet turneu kualifikues për U17 dhe po ashtu Ballkani luan ndeshje të fazës grupore të Ligës së Konferencës, FFK-ja i ka kërkuar Prishtinës që ndeshjet si vendëse gjatë tetorit t’i luajë në një stadium tjetër. Kjo kërkesë i është bërë për shkak të gjendjes së rënduar të fushës në “Fadil Vokrri”. Por këtë kërkesë të FFK-së nuk e ka pranuar Prishtina. Ajo e kishte caktuar ndeshjen me 89-shin në “Fadil Vokrri”, të dielën, dhe Komisioni i Garave u detyrua ta shtyjë atë në mënyrë që fusha të mos ngarkohet para turneut kualifikues të përfaqësueseve U17. Në edicionin e kaluar, Prishtina si vendase kishte luajtur edhe në qytete të tjera. Këtë edicion po refuzon ta bëjë këtë. Po kërkon që të luajë në stadiumin që e mban emrin e legjendës Fadil Vokrri, e që Prishtina e llogarit shtëpi të saj. Për të shtunën është planifikuar edhe ndeshja Drita – Trepça ’89. Ndërsa të dielën janë takimet e tjera të xhiros së dhjetë: Ballkani – Malisheva, Llapi – Drenica, Ferizaj – Gjilani.