“Merhaba Sivas” ishte përshëndetja e trajnerit të Ballkanit, Ilir Daja në fillim të konferencës së tij për shtyp para duelit me Sivassporin. Sikurse edhe para ndeshjeve tjera të Ballkanit në Ligën e Konferencës, edhe këtë herë Daja u tregua i matur në deklaratat e tij. Krejt çka premtoi ai për këtë ndeshje, ishte se kjo përballje do të jetë një spektakël për tifozët e pranishëm në stadium. Ai vlerësoi lart kundërshtarin nga Turqia dhe pranoi se ekipi i tij do ta ketë një ndeshje tejet të vështirë. Ballkani është mysafir i Sivassporit në duelin e xhiros së tretë të Grupit G të Ligës së Konferencës. Kjo ndeshje zhvillohet të enjten dhe nis në orën 18:45. Pas dy ndeshjeve të luajtura në këtë garë deri më tani, Ballkani ka vetëm një pikë. Ndërkohë, Sivaspori ka katër pikë, sa i ka edhe Slavia si lidere.
“Merhaba Sivas. Përshëndetje të gjithëve. Jemi në ndeshjen e tretë të fazës së grupeve të Ligës së Konferencës. Sigurisht se ndeshja me Sivassporin do të jetë shumë e vështirë, pasi përballë kemi një ekip të fortë. Sivasi dhe Slavia kryesojnë grupin pas dy ndeshjeve të luajtura dhe kjo flet për cilësinë e këtij ekipi. Kemi të bëjmë me një ekip të fortë dhe këtë e kemi parasysh”, ka thënë Daja. “Pavarësisht moshës së lojtarëve që e bëjnë Sivasin ekip me më përvojë se ne, ata kanë përvojë edhe në garat evropiane. Ne kemi një ekip të ri në moshë dhe gjithashtu pa përvojë në garat e tilla.
Sigurisht se nesër do të kemi një përballje mes përvojës së Sivasit dhe lojtarëve të rinj të Ballkanit. Kështu që, mendoj se një përballje e tillë mund të garantojë edhe spektaklin në stadiumin e Sivassporit”.
Shqetësimi më i madh i trajnerit Daja për ndeshjen kundër ekipit të Superligës së Turqisë, është mungesa e futbollistëve. Daja ka pranuar se ka disa mungesa të formacionit bazë, por nuk i ka zbuluar emrat e lojtarëve pasi ka dashur që këtë informacion ta mbajë fshehtë nga Sivasspori. Emrin e vetëm që e përmendi është ai i mbrojtësit Astrit Thaqi. Thaqi mungon në këtë takim shkaku i suspendimit, pasi në ndeshjen e fundit, atë ndaj Slavia Pragës është ndëshkuar me karton të kuq.
“Vështirësitë tona shtohen edhe më shumë me mungesat që do t’i kemi në formacionin e parë. Por, nga ana tjetër kemi disa lojtarë që kanë shansin të dëshmojnë veten para Sivassporit. Kemi dy tri mungesa por nuk po i zbulojë për të dhënë informacion dhe mund të them se mungesa tashmë e deklaruar është e Thaqit pas ndëshkimit në ndeshjen e fundit”, ka thënë Daja, i cili ka shtuar se forma e dobët që Sivasspori po e shfaq në kampionatin e Turqisë nuk ka të bëjë asgjë me Ligën e Konferencës. “Në këtë ndeshje nuk ka rëndësi forma e ekipeve që e kanë në kampionatet e tyre. Shpresoj që edhe ndaj nesh Sivasi mos të jetë në formën më të mirë për të na i vështirësuar gjërat”.
Daja insistoi se Ballkani në debutimin e tij në garat evropiane vetëm po merr përvojë. Ai pranoi se ka mbetur i kënaqur me paraqitjen e ekipit të tij në dy ndeshjet e para – barazimin 1:1 ndaj Clujit dhe humbjen 3:2 nga Slavia.
“Në dy ndeshjet e para, kemi bërë një lojë relativisht të mirë, pavarësisht kundërshtarëve të fortë. Synimi i Ballkanit është të bëjë përvojë në këtë edicion, në mënyrë që herën tjetër ta kërkojë kalimin e grupeve. Pra, të bëjmë përvojë të mirë dhe të kemi paraqitje sa më të mira në këtë fazë të grupeve”, shtoi Daja.
Për dallim prej tij, sulmuesi Albion Rrahmani nuk e ka fshehur synimin që e ka për këtë ndeshje. Rrahmani ka insistuar se Ballkani do të përpiqet të kthehet në Kosovë me një rezultat pozitiv nga Turqia.
“Është kënaqësi që po paraqitemi në këtë garë. Shpresoj të dalim me një rezultat të mirë. Përballë një ekip të mirë si Sivaspori. Duam të bëjmë një paraqitje të mirë dhe pse mos të marrim rezultat pozitiv”, tha Rrahmani. “Patjetër që e kemi analizuar ekipin kundërshtarët. I dimë të gjitha pikat e forta dhe të dobëta. Sivasi është një ekip me përvojë të madhe dhe lojtarë cilësorë. Por, ne do të mundohemi të japim gjithçka nga vetja për një rezultat pozitiv pasi nuk duam të kthehemi duarthatë në Kosovë”.