Prishtinës i është shtyrë ndeshja e xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës në futboll, me Trepçën ’89. Dhe ka shumë mundësi që t’i shtyhet edhe ndeshja e xhiros së ardhshme, që do ta komplikonte edhe më tej orarin e kampionatit të Kosovës.
Në kuadër të xhiros së dhjetë, Prishtina e pret Dukagjinin e Klinës. Komisioni përgjegjës i FFK-së ka parashikuar që kjo ndeshje të zhvillohet të shtunën nga ora 13:00. Prishtina ndërkohë ka bërë kërkesë që ndeshja të luhet po të shtunën, por nga ora 18:00. Prishtina planifikon që ndeshjen ta organizojë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Por gjasat që Prishtina të luajë ndeshje kampionale të shtunën në “Fadil Vokrri” thuajse nuk ekzistojnë. Të shtunën në këtë arenë luajnë përfaqësueset U17 të Italisë dhe Finlandës. Ndeshja i takon rundit kualifikues për Euro 2023.
Prishtina refuzon të luajë si vendëse në një stadium tjetër dhe kështu ndeshja e saj me Dukagjinin me shumë mundësi do të shtyhet.
Ka pasur përplasje për stadiumin “Fadil Vokrri” në mes të Prishtinës dhe FFK-së, javën e kaluar. Për shkak se në stadiumin e qytetit në Prishtinë luhet turneu kualifikues për U17 dhe po ashtu Ballkani luan ndeshje të fazës grupore të Ligës së Konferencës, FFK-ja i ka kërkuar Prishtinës që ndeshjet si vendëse gjatë tetorit t’i luajë në një stadium tjetër. Kjo kërkesë i është bërë për shkak të gjendjes së rënduar të fushës në “Fadil Vokrri”. Por këtë kërkesë të FFK-së nuk e ka pranuar Prishtina. Ajo e kishte caktuar ndeshjen me 89-shin në “Fadil Vokrri”, të dielën, dhe Komisioni i Garave u detyrua ta shtyjë atë në mënyrë që fusha mos të ngarkohet para turneut kualifikues të përfaqësueseve U17.
Pos në Prishtinë ndeshjet e përfaqësueseve U17 luhen edhe në Podujevë. Ndeshjet luhen të mërkurën, të shtunën dhe të martën e ardhshme. Grupi 8 përbëhet nga Finlanda, Greqia, Italia dhe Kosova.
Te Prishtina janë të vendosur që të luajnë vetëm në “Fadil Vokrri”.
“Presim nga FFK-ja të na konfirmojë orarin. Shtyrjet e vazhdueshme paraqesin problem sa i takon garës sepse mund të përfundojmë në situatë ku kemi shumë ndeshje brenda një periudhe të shkurtër. Sido që të jetë, shpresojmë se federata do ta evitojë një gjë të tillë, duke siguruar orar të përshtatshëm për ndeshjet tona, në mënyrë që mos të na dëmtojë. Natyrisht, ndeshjet e Prishtinës si vendase do të zhvillohen në ‘Fadil Vokrri”, ka thënë Artan Osmani, drejtor i klubit Prishtina.
Në edicionin e kaluar, Prishtina si vendase kishte luajtur edhe në qytete të tjera. Këtë edicion po refuzon ta bëjë këtë. Po kërkon që të luajë në stadiumin që e mban emrin e legjendës Fadil Vokrri, e që Prishtina e llogarit shtëpi të saj.
Për shkak se Ballkani luan në Ligën e Konferencës e për më tepër si vendas në Prishtinë, shumë ndeshje të nëntë xhirove të para nuk janë luajtur ende. Kështu Ballkani e Trepça ’89 i kanë nga dy ndeshje të shtyra. Prishtina e Llapi e kanë nga një ndeshje të shtyrë. Me shtyrjen eventuale të ndeshjes Prishtina – Dukagjini dhe për faktin se kampionati nuk zhvillohet gjatë Botërorit, orari i Superligës rrezikon të bëhet kaotik.
Për të shtunën është planifikuar edhe ndeshja Drita – Trepça ’89. Ndërsa të dielën janë takimet e tjera të xhiros së dhjetë: Ballkani – Malisheva, Llapi – Drenica, Ferizaj – Gjilani.