Sport

Java e Botërorit të xhudos – Kosova me shumë mungesa por me synime të mëdha

Descriptive Text

Distria Krasniqi është bartësja e vetme në Botëror prej xhudisteve kosovare. Por suksesin e kërkon edhe Laura Fazliu e po ashtu Loriana Kuka e Flaka Loxha. Për shkak të lëndimeve mungojnë Nora e Akil Gjakova. Ndonëse me mungesa të rëndësishme, synohen medalje tjera nga xhudistet kosovare. Niveli superior i tyre bën që të synohen medalje në çdo garë. Trajneri Driton Kuka thekson se ekipi është në konsolidim

Në Tashkent të Uzbekistanit mbahet ngjarja kryesore e vitit në xhudo. Bëhet fjalë për Botërorin për seniorë që zhvillohet prej 6 deri më 13 tetor. Marrin pjesë 584 xhudistë nga 87 shtete të ndryshime. Në mesin e tyre natyrisht janë edhe xhudistet kosovare, që vlerësohen prej më të mirave në botë.

Kosovës i mungojnë shumë adutë për medalje, por sërish ka mjaft xhudiste që synojnë vendin në podium. Ekipi i Driton Kukës do të paraqitet pa Majlinda Kelmendin, që tashmë i ka dhënë fund karrierës dhe punon si trajnere. Majlinda do të jetë në cilësinë e trajneres në Botërorin e Tashkentit. Për shkak të lëndimeve mungojnë kampiona olimpike Nora Gjakova dhe kampioni evropian, Akil Gjakova. Erza Muminoviq, xhudistja me potencial nuk do të garojë, ndërsa rrugën drejt Tashkentit do ta marrin Distria Krasniqi, Flaka Loxha, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka. Distria është kampione olimpike, ndërsa kërkon medalje në kategorinë deri 52 kg. Flaka është në kërkim të sukseseve të mëdha si seniorë dhe garon në kategorinë deri 57 kilogramë. Laura është në moment shkëlqimi. Ka fituar medaljen e argjendtë evropiane dhe synon medalje botërore në kategorinë deri 63 kilogramë. Ndërkohë Loriana, që ka medalje botërore e evropiane, është duke u kthyer në rrugën e duhur. Ajo do të garojë në kategorinë deri 78 kilogramë dhe natyrisht synon suksesin.

Distria garon të premten e ardhshme. Të tjerat garojnë pas saj.

Për shkak të ndryshimit të kategorisë, Distria Krasniqi është vetëm bartësja e gjashtë në Botëror. Rivalja më e madhe e saj megjithatë është Uta Abe, kampionia olimpike në kategorinë deri 52 kg. Distria kishte fituar të artën olimpike në kategorinë deri 48 kg. Japonezja Abe nuk është bartëse, por vlerësohet favorite e madhe për medalje. Francezja Amandine Buchard, britanikja Chelsie Giles dhe eventualisht Reka Pupp e Hungarisë vlerësohen pretendente. Por sfida është për të ndalë serinë e jashtëzakonshme të Abes.

Flaka Loxha nuk është bartëse në kategorinë deri 57 kg dhe hyrja në tetë më të mirat do të ishte sukses i madh i saj. Por nuk përjashtohet mundësia që ajo të shkoj edhe më lartë.

Bartëse nuk është as Laura Fazliu në kategorinë deri 63 kilogramë. Vendi i dytë në Evropë megjithatë dëshmon se Laura ka nivel dhe mund të jetë kandidate e fortë për medalje.

“E paranguar dhe pretendente e madhe për medalje është fituesja aktuale e medaljes së argjendtë evropiane, Laura Fazliu. Ajo është anëtare e re e ekipit të xhudisteve që ndjek suksesin e madh të kampioneve olimpike nga Kosova”, ka shkruar sajti zyrtar i Unionit Evropian të Xhudos (EJU).

Për shkak të mungesës nga garat, bartëse nuk është as Loriana Kuka në kategorinë deri 78 kilogramë. Por Loriana ka dëshmuar shumë herë se ka potencialin për sukses në ngjarjet e mëdha dhe këtë do të mundohet ta dëshmojë edhe në Uzbekistan.

“Është Botërori i parë pas Olimpiadës dhe ekipin tonë e gjen në konsolidim e sipër. Do të mungojnë Majlinda, që ka përfunduar karrierën, por edhe kampionia olimpike, Nora Gjakova, që ka pasur operim dhe tashmë është në fazën finale të rikuperimit. Për arsye të njëjtë mungon edhe Akil Gjakova. Në Botëror do të garojnë Distria, në kategori të re në krahasim me atë që ka fituar të artën olimpike, pastaj Laura Fazliu që sivjet ka fituar medaljen e argjendtë në Evropian, Loriana dhe Flaka”, ka treguar Driton Kuka, trajner i Kosovës në xhudo.

Vjet medalje në Botëror ka fituar Nora Gjakova, të bronztën në kategorinë deri 57 kilogramë. Në “Tokio 2019”, medalje bronzi fituan Distria, Majlinda dhe Loriana. Majlinda ka tituj të botës në vitet 2013 e 2014.

“Do të dëshiroja të vazhdojmë me medalje. Natyrisht, Distria e Laura janë garuese që janë në formë dhe me gjasa reale për medalje. Loriana e Flaka janë në kërkim të formës së tyre dhe do të isha i kënaqur me plasman të mirë të tyre”, ka theksuar Driton Kuka.