Sport

Ramadani: Vendosi goli në fund të pjesës së parë

Zekirija Ramadani
 

Zekirija Ramadani theksoi pas ndeshjes se goli i pranuar në fundin e pjesës së parë nga Ballkani, bëri që skuadra të goditej rëndë. Trajneri i Gjilanit tha se pavarësisht atmosferës së rëndë që mbretëroi në pushimin mes pjesëve, skuadra që ai drejton u paraqit mirë. Gjilani të dielën pësoi disfatën e tretë rresht.

“Ndoshta në pjesën e parë Ballkani kishte iniciativën por ne kishim dy raste të mira. Mendoj që kishim përgatitur mirë ekipin për t’u përballur me kampionin aktual. Në momentin më të keq për neve erdhi goli. Në kohën shtesë të pjesës së parë pranuam një gol, dhe çdo gol i ardhur në ato momente është goditje e rëndë. Në pjesën e dytë përsëri arritëm të gjenim forca për t’u përballur sa më të barabartë me Ballkanin. Rrezikuam më tepër por nuk shënuam. Kjo është edhe meritë e Ballkanit që nuk na la të krijojmë më shumë raste. Por, pas reagimit të skuadrës duhet të jemi të kënaqur. Kjo është situata momentale. Gjatë pushimit patëm një atmosferë mjaftë të rëndë. Se si e gjetëm forcën të dilnim në fushë në pjesën e dytë, është meritë e lojtarëve”, është shprehur Ramadani fillimisht.