Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, ka shënuar fitore të rëndësishme në ndeshjen e xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës në futboll. Në ndeshjen e parë të edicionit të zhvilluar në Suharekë, Ballkani mposhti Gjilanin me rezultatin 2:0, me nga një gol në secilën pjesë. Suharekasit për shkak të punimeve në stadiumin e qytetit nuk kishin luajtur në shtëpinë e vet për një kohë të gjatë.
Ndeshjet i kanë zhvilluar në Prishtinë e Drenas. Epërsinë e parë në ndeshje, Ballkani e arriti në fundin e pjesës së parë. Ish-mbrojtësi i suharekasve, tani i Gjilanit, Arbër Prekazi, realizoi autugol. Ndërkohë, goli i dytë dhe i qetësisë për Ballkanin u shënua në minutën e 88-të.
Aksionin e mirë të ndërtuar e konvertoi në gol Meriton Korenica, pas veprimit të mirë individual. Pas shtatë ndeshjeve të luajtura në Superligë, Ballkani pozicionohet në vendin e dytë me 18 pikë, tri më pak se Drita lidere që ka dy ndeshje më shumë të zhvilluara. Gjilani mbetet në pozitën e tretë me 14 pikë në nëntë takime të luajtura. Të dielën ishte paraparë të zhvillohej edhe takimi tjetër ndërmjet Prishtinës dhe Trepçës ’89, por u shty për shkak të ruajtjes së barit në stadiumin “Fadil Vokrri”.