Lëndimet kanë ndikuar në planet e Barcelonës që drejtohet nga Xavi Hernandez, para vizitës te Mallorca e Vedat Muriqit.
Mallorca – Barcelona luhet të shtunën nga ora 21:00.
Nga ndeshjet me përfaqësueset e tyre, Barcelona ka të lënduar lojtarët si Ronald Araujo, Jules Kounde, Memphis Depay dhe Frenkie De Jong. Kounde dhe De Jong nuk do të jenë të gatshëm për të luajtur të shtunën.
Për ta bërë situatën edhe më të vështirë për Xavin, mbrojtësi i krahut të djathtë, Hector Bellerin, ka pësuar dëmtim në pulpë në stërvitje me klubin dhe me gjasë nuk do të mund të rikuperohet në kohë. Ai pritet të mungojë dy deri në tri javë.
Pavarësisht mungesave, Barcelona është e frikshme në fazën sulmuese. Robert Lewandowski, Ousmane Dembele dhe Raphinha do ta plotësojnë treshen e sulmit.
Por, Barça duhet pasur kujdes e të ruhet nga lëndimet e tjera, pasi në mesjavë luan ndeshjen e rëndësishme ndaj Interit në “Champions”.
Mallorca ka qenë shumë e fortë dhe shumë e disiplinuar nën drejtimin e trajnerit me eksperiencë, Javier Aguirre, por edhe me Vedat Muriqin si sulmues qendror.
Reprezentuesi i Kosovës mund ta rrezikojë “blaugranan” në lojën në ajër, sidomos në mungesë të Araujos.
Në ndeshjet me Kosovën në Ligën e Kombeve ndaj Irlandës së Veriut dhe Qipros, Muriqi realizoi tri gola dhe dy asistime.
Me Mallorcan në La Liga në gjashtë ndeshje ka shënuar tri gola.
Kampioni në fuqi i La Ligas, Real Madridi, luan kundër Osasunas të dielën në orën 21:00, në “Santiago Bernabeu”.