Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka thënë fjalë të mëdha për FFK-në dhe futbollin kosovar gjatë vizitës që të premten e zhvilloi në Kosovë. Infantino ka qëndruar në Prishtinë dhe vizitën e parë e ka bërë në stadiumin “Fadil Vokrri”. Është stadiumi i vetëm në vend që plotëson kushtet për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare.
Stadiumi gjerësisht njihet edhe si i qytetit të Prishtinës, por klubi Prishtina nuk është i vetmi që e shfrytëzon atë. Në stadiumin “Fadil Vokrri” luajnë edhe përfaqësueset e Kosovës, Ballkani në Ligën e Konferencës e po ashtu klube të tjera, herë pas here. Dhe gjithë kjo ngarkesë ka bërë që fusha të dëmtohet rëndë.
Për këtë, Prishtinës i është kërkuar që gjatë tetorit mos të luaj ndeshjet në “Fadil Vokrri”, që Prishtina dhe tifozët e saj e llogarisin shtëpi të tyre. Por Prishtina po refuzon që të largohet nga “Fadil Vokrri”. Dhe këtë ia ka bërë të ditur përmes një letre FFK-së dhe presidentit të saj Agim Ademi, pikërisht të premten kur Infantino qëndroi në Kosovë. Me gjasë vizita e Infantinos do të ketë ndikim në përmirësimin e situatës së futbollit kosovar në të ardhmen. Por situata aktuale, sidomos me infrastrukturë, vlerësohet e rëndë. Telashet me “Fadil Vokrri”, dëshmojnë këtë. Infantino tha fjalë të mira për FFK-në e Agim Ademin, por telashet e shumta natyrisht se nuk i zgjodhi. Ato u rikonfirmuan të premten në letrën e Prishtinës.
Është Bordi Drejtues i FC Prishtina që të premten i shkroi Komisionit të Garave të FFK-së dhe që me letrën e njoftoi edhe Agim Ademin. Tema e letrës: Ndalimi i zhvillimit të ndeshjeve të FC Prishtinës gjatë muajit tetor 2022.
Në letër bëhet e qartë se fillimisht nga Komisioni i Garave i FFK-së, përkatësisht Abdyl Bellopoja, i është dërguar shkresë Prishtinës.
“Kësaj shkrese i mungon raporti i inspektimit, gjithnjë nëse një raport i tillë ekziston. Në fakt mungesa e këtij raporti është e pritshme sepse në rastet e inspektimi konkluzioni logjik është fusha: i plotëson kriteret për zhvillimin e ndeshjeve; nuk i plotëson kriteret për zhvillimin e ndeshjeve; i plotëson kriteret me kushte të përmirësimit 1,2,3...Shkresa juaj lë të nënkuptohet se ‘raporti’ i inspektimit të gjendjes së fushës konkludon se: Fusha i plotëson kriteret nëse zhvillon ndeshja përfaqësuesja e Kosovës U17 dhe FC Ballkani, por nuk i plotëson kriteret nëse FC Prishtina zhvillon ndeshje në stadiumin e saj. Prandaj ne si klub vlerësojmë se shkresa e dërguar është qesharake dhe na vjen keq për situatën në të cilën ndodhet Federata e Futbollit e Kosovës”, shkruan në letrën e Prishtinës për FFK-në.
Prishtina ka përjashtuar mundësinë që të jetë përgjegjëse për gjendjen e rënduar të fushës.
“Deri te gjendja e rënduar e fushës së stadiumit ka ardhur për shkak të mungesës së mirëmbajtjes dhe keqshfrytëzimit të fushës nga ana juaj, si lejimi i zhvillimit të ndeshjeve dhe stërvitjeve krejtësisht të panevojshme nga FFK-ja dhe pa asnjë kriter të kategorive të ndryshme të klubeve të futbollit të rajoneve të tjera duke ndikuar në gjendjen e rënduar të fushës. Në këtë situatë, është obligim juaji që të gjeni alternativa të tjera për zhvillimin e ndeshjeve të Përfaqësueses U-17 apo FC Ballkanit, mirëpo jo në kurriz të FC Prishtinës gjë të cilën jeni duke e bërë në vazhdimësi”, shkruan tutje Prishtina.
Klubi i kaltërt ngul këmbë se ndeshjet do të vazhdojë t’i luajë në “Fadil Vokrri”. Madje thotë se klubi do të shqyrtojë kërkesat e FFK-së dhe Ballkanit për shfrytëzim të stadiumit.
Ka kohë që ka paqartësi se kush saktësisht duhet të menaxhojë dhe për më tepër, të mirëmbajë stadiumin.
“Ju informojmë se Prishtina si shfrytëzues i vetëm ligjor i stadiumit ‘Fadil Vokrri’ nuk e pranon vendimin duke ju informuar se ndeshjet do t’i zhvillojmë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, sipas orarit të paraparë nga FFK-ja. FC Prishtina sikurse ka vepruar më parë, është e gatshme që ta koordinojë orarin sipas kërkesave të FFK-së dhe FC Ballkanit. Gjithsesi për një gjë të tillë, FFK-ja dhe FC Ballkani duhet të dërgojnë kërkesa zyrtare në mënyrë që t'i shqyrtojmë kërkesat tuaja e më pas të vendosim nëse këto ndeshje do të mund të zhvillohen në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, gjithmonë duke mos u dëmtuar FC Prishtina. Pozicioni ynë është i qartë dhe besojmë fuqishëm që ju si institucion përgjegjës dhe me kapacitet financiar më të madh se të gjitha klubet e Superligës së Kosovës së bashku, do ta gjeni zgjedhjen më të përshtatshme për problemet që ju shoqërojnë”, shkruan Prishtina në letrën për FFK-në.
Disa ndeshje të Prishtinës si vendase janë shtyrë pasi stadiumi ishte i zënë. Edicionin e kaluar Prishtina si vendase kishte luajtur në qytete tjera, por ka refuzuar të bëj këtë në këtë edicion.