Sport

Sllovenia me lojtarë të Barcelonës në Prishtinë

Barcelona është fituese në fuqi e Ligës së Kampionëve në hendboll. Dhe dy lojtarë të kësaj skuadre më 16 tetor do të paraqiten në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Bëhet fjalë për sllovenët Blazh Janc dhe Domen Makuc.

Janc e Makuc janë përfshirë në Përfaqësuesen e Sllovenisë për ndeshjet e para të raundit të dytë kualifikues për Kampionatin Evropian të hendbollit që në vitin 2024 mbahet në Gjermani. Në kuadër të grupit të shtatë kualifikues, Sllovenia më 13 tetor e pret Bosnjë-Hercegovinën në Maribor, ndërsa më 16 tetor luan ndaj Kosovës në Prishtinë.

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll ndeshjen e parë në ciklin e ri eliminator e luan në Podgoricë ndaj Malit të Zi më 12 tetor.

Selektori i Sllovenisë, Urosh Zorman, të martën ka publikuar listën për ndeshjet e tetorit. Thuajse të gjithë lojtarët e Sllovenisë luajnë në skuadra të mëdha evropiane. Sllovenia ka lojtarë edhe te Veszpremi, Pick Szegedi e skuadra të tjera të ligave të mëdha evropiane.

Dy të parët në grup avancojnë në Evropian, ndërsa edhe prej pozitës së tretë mund të sigurohet kualifikimi. Grupi i Kosovës vlerësohet shumë i vështirë, por në FHK shpresojnë për pozitën e tretë.

Sllovenët natyrisht synojnë vendin e parë në grup. Ndeshjet e tetorit do t’i shërbejnë Sllovenisë edhe si përgatitje për Botërorin e hendbollit që mbahet në janar.

“Kemi vendosur për lojtarët që janë në gjendjen më të mirë aktualisht. Është fakt që në short ishim bartës dhe tani jemi favoritë. Për dy ndeshjet e para vetëm dy fitore vijnë në konsideratë”, ka thënë selektori i Sllovenisë, Zorman. Ai ka folur për sajtin zyrtar të Federatës së Hendbollit të Sllovenisë. Ndonëse me lojtarë në nivele të larta, Sllovenia nuk ka pasur rezultate të mira në periudhën e fundit.

“Jemi të vetëdijshëm që kemi pasur probleme të caktuara në periudhën e fundit, se jo çdo gjë ka ecur ashtu si duhej. Por unë besoj në kualitetin që kemi. Duhet të kompletojmë kualifikimet ashtu si pritet”, ka shtuar Zorman.

Sllovenia merr pjesë në Botëror falë ftesës. Në kualifikime kishte dështuar.

“E kemi fituar shansin e dytë me ftesë. Tani na takon neve që të dëshmojmë në të gjitha ndeshjet se eliminimi në kualifikime ishte vetëm një ditë e keqe, nëse mund të them ashtu”, thotë selektori slloven.

Selektori i Kosovës, Bujar Qerimi, ende nuk e ka publikuar listën e lojtarëve për dy ndeshjet e tetorit. Kosova është në kërkim të kualifikimit të parë në një ngjarje të madhe. Në kualifikimet e kaluara kishte shënuar një fitore të madhe ndaj Rumanisë, por të pamjaftueshme për kualifikim.