Sport

Tovërlani i kënaqur me grumbullimin tetëditor në Antalia

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në grupmoshën U21, Afrim Tovërlani ka mbetur i kënaqur me punën e futbollistëve gjatë grumbullimit tetëditor në Antalia.

Shpresat e Kosovës në Antalia zhvilluan dy ndeshje miqësore. Të parën e fituan 1:0 ndaj përfaqësueses së Grenlandës, kurse të dytën 4:0 kundër skuadrës turke, FK Doesemaelti Antalya.

“Punën në këtë kamp e vlerësoj si shumë të rëndësishme. Konsideroj se këto kampe janë të domosdoshme pasi është ndërruar gjenerata dhe gjithçka është duke u bërë nga fillimi. Më gëzon fakti që të gjithë futbollistët kanë qenë shumë të disiplinuar gjatë këtij grumbullimi. Normalisht nuk ka qenë e lehtë, pasi kjo ishte hera e parë që ishim së bashku, por ky grumbullim më ka ndihmuar për ta pasur një pasqyrë më reale të ekipit. Shpresoj që do t’i kemi së paku edhe dy grumbullime të tilla, që do të na mundësojnë ta kemi edhe më të qartë gjendjen dhe potencialin e futbollistëve. Kësaj radhe na kanë munguar dy-tre futbollistë të cilët kanë qenë të angazhuar me ekipet e tyre, dhe besoj se kur të kompletohemi do të bëjmë punë edhe më të mirë”, ka theksuar Tovërlani pas përmbylljes së këtij kampi, njofton Federata e Futbollit e Kosovës.