3 perditesime
22:40

Shqipëria mposhtet në Izrael, mbetet në Ligën B

Shqipëria është mposhtur në Izrael dhe do të garojë në Ligën B të Ligës së Kombeve edhe në edicionin e ardhshëm. “Kuqezinjve” u është dashur fitorja ndaj Izraelit për të shpresuar në promovim në Ligën A.

Por Shqipëria pësoi 2:1 nga Izraeli, të shtunën mbrëma në Tel-Aviv dhe mbetet pa gjasa.

Shqipërisë i kanë kushtuar dy gabime individuale në ndeshjen e vështirë me Izraelin.

Pas gabimit të Elseid Hysajt dhe vendosjes së keqe të mbrojtësve të qendrës, Shon Weissman shënoi për 1:0 që në fillim të pjesës së dytë, përkatësisht në minutën e 46-të.

Myrto Uzuni realizoi gol të bukur për 1:1, në minutën e 88-të. Por një gabim tjetër, këtë herë i Enea Mihajt, i mundësoi Izraelit që të shënojë golin e fitores. Mihaj nuk largoi një top nga zona dhe Tai Baribo përfitoi për të shënuar për 2:1. Ndodhi kjo në minutën e 92-të.

Pas golit të parë izraelitët e kanë vonuar shumë lojën, duke qëndruar shpesh të shtrirë në fushë. Por, kuqezinjtë megjithatë barazuan me Uzunin dhe kërkuan fitoren më pas. Megjithatë, u befasuan me golin në minutat shtesë për të mbetur në vendin e tretë në grupin 2 të Ligës B.

Shqipëria ka vetëm një pikë pas tri ndeshjeve, ndërsa Izraeli tashmë është fitues i grupit. I ka tetë pikë. Islanda është e dyta me tri pikë.

Në grup është dashur të jetë edhe Rusia, por ajo është suspenduar. Kështu Shqipëria nuk rrezikon të bjerë në Ligën C. Në Ligën C bie Rusia.

Shqipëria e mbyll ciklin eliminator të martën kur në Tiranë e pret Islandën. Është ndeshje e vlefshme për vendin e dytë në grup.

Shqipëria ka udhëtuar për fitore në Izrael, por vendasit kanë shfaqur shumë më tepër. Armando Broja ka provuar me disa aksione individuale, por pa rrezikuar shumë. Disa tentime i kishte edhe Sokol Çikalleshi, por as ai nuk realizoi.

22:36

Izraeli kthen epërsinë ndaj Shqipërisë

Izraeli ka kthyer epërsinë ndaj Shqipërisë.

Izraelitët shënuan në minutën e tretë të kohës shtesë nëpërmjet Tai Baribos.

Sërish pati reagim të dobët në mbrojtjen e “kuqezinjve”. Enea Mihaj nuk e largoi topin mirë nga zona.

Mihaj zëvendësoi Arlind Ajetin në minutën e 78-të.

https://dubz.co/v/07fc3p

22:31

Shqipëria barazon shifrat me supergolin e Uzunit

Shqipëria ka barazuar shifrat në ndeshjen ndaj Izraelit.

Zëvendësuesi Myrto Uzuni ka shënuar supergol në minutën e 88-të të ndeshjes.

Uzuni hyri në lojë në minutën e 78-të në vend të Sokol Cikalleshit dhe realizoi pas 10-të minutash.

https://dubz.co/v/k01ckq

21:51

Izraeli kalon në epërsi ndaj Shqipërisë

Përfaqësuesja e Izraelit ka kaluar në epërsi ndaj Shqipërisë, menjëherë pasi nisi ndeshja pas pushimit mes pjesëve.

Shon Weissman shtyu topin në rrjetë nga afërsia, duke shfrytëzuar reagimin e dobët në mbrojtjen e “kuqezinjve”.

Kjo ndeshje i takon Grupit 2 të Ligës B.

Shqipërisë i duhet vetëm fitorja për të mbetur në luftë për vendin e parë në grup.

https://dubz.co/v/am2rb9?fbclid=IwAR19eYXuZZ0PlkuyEb_BEkiYwsnopVWvZ90x0gOQEVDuTNnYi08xRX_KZTk