Përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut të premten i duhet fitorja me rezultat të thellë, për të dalë në krye të Grupit 4 të Ligës C të Ligës së Kombeve.
Misioni është shumë i vështirë, por Ezgjan Alioski është shprehur optimist për një sukses të radhës në Gjeorgji.
Maqedonia e Veriut fitoi më 12 nëntor të vitit 2020 me rezultatin 1:0 në udhëtim te Gjeorgjia, për ta siguruar Kampionatin Evropian që u mbajt vitin e kaluar.
Alioski, që luan te Fenerbahçe në Turqi, ka thënë se në Gjeorgji përfaqësuesja ka synime për ta përsëritur suksesin e arritur dy vite më parë.
“E njohim këtë vend mirë dhe presim atmosferë të mirë. Është ndeshje e re dhe luajmë sërish për diçka të madhe. E dimë kualitetin tonë. Me apo pa tifozë, ne do të luajmë futboll. Kemi ardhur këtu për ta përsëritur rezultatin e të kaluarës. Shpresoj se do të tregojmë kualitet. Disfata në shtëpi në ndeshjen e parë na ka shkaktuar telashe, por shpresoj se do të jemi në gjendje të kthehemi me fitore”, ka thënë Alioski të enjten në konferencën për shtyp.
Ai shtoi se motivimi është në nivel të lartë pavarësisht mungesave në skuadër.
Gjeorgjia prinë në grup me 10 pikë dhe ka goldallim 10:2.
Maqedonia e Veriut është e dyta në Grupin 4 me shtatë pikë. Ka goldallim 7:4. Pra Maqedonisë së Veriut i duhet fitorja prej 3:0.
Bullgaria ka tri pikë, ndërsa Gjibraltari ka një pikë.