Sport

Me Grinerin në burg, lojtaret e WNBA-së evitojnë Rusinë në mes të sezonit

FOTO: AP
 

Problemet ligjore të Brittney Grinerit në Rusi dhe pushtimi rus ndaj Ukrainës kanë bërë lojtaret kryesore të WNBA-së të zgjedhin ta dërgojnë talentin e tyre diku tjetër në pushimin në mes të sezonit në SHBA. Në dekadat e fundit Rusia ka qenë destinacioni i preferuar në mes të sezonit për basketbollistet e WNBA-së për të luajtur, për shkak të pagave të larta që mund të shkojnë mbi një milion dollarë - gati katërfishi i pagës bazë të basketbollisteve kryesore në WNBA - dhe burimeve e komoditeteve që ekipet u ofronin atyre. Megjithatë, gjithçka ka marrë një fund të papritur.

“Sinqerisht, koha ime në Rusi ka qenë e mrekullueshme. Por veçanërisht me Brittneyn që po mbahet ende gabimisht atje, askush nuk do të shkojë derisa ajo të kthehet në shtëpi”, tha Breanna Stewart, një bashkëlojtare e Grinerit në ekipin rus që i pagoi dyshes miliona dollarë. “Unë mendoj që basketbollistet duan të shkojnë jashtë shtetit dhe nëse paratë nuk kanë shumë dallim, ato duan të jenë në një vend më të mirë dhe më të sigurt”.