“I duhet mrekullia, pasi kishte shortin më të vështirë të mundshëm duke u takuar me nikoqiren, Benficën, në çerekfinale”. Kështu ka shkruar sajti zyrtar i Ligës së Kampionëve për gjasat e kampionit të Kosovës në basketboll, Golden Eagle Yllit, për t’u kualifikuar në fazën grupore të kësaj gare.
Ylli i Suharekës të mërkurën mbrëma (22:00) debuton në Championsin e basketbollit. Luan në çerekfinale të fazës kualifikuese. Duhet të kalojë tre kundërshtarë për të arritur në fazën grupore. Fillimisht luan me Benfican, që i organizon ndeshjet e grupit ku bën pjesë Ylli. Nëse e kalon Benfican, Ylli në gjysmëfinale takohet me Keravnosin qipriot. Nëse e kalon edhe Keravnosin qipriot takohet me Brose Bambergun e Gjermanisë, Norrkoepingun e Suedisë apo Budeivelnykun e Ukrainës.
Nëse nuk kalon në fazën grupore të Championsit, Ylli e ka të drejtën e paraqitjes në fazën grupore të FIBA Europe Cup, pavarësisht se a kalon kundërshtar apo jo në Portugali.
Pos që i ka kundërshtarët shumë të fortë, kampioni i Kosovës nuk është në formën më të mirë. Ka humbur dy ndeshjet e para në Superligën e Kosovës. Trajneri Adis Beqiragiq ka nisur me vonesë punën, ndërsa ekipi nga Suhareka përballet edhe me lëndime të lojtarëve. Po ashtu Beqiragiq ende nuk e ka ekipin që e synon.
Tek Ylli janë të vetëdijshëm për gjasat jo të mëdha për sukses në Champions. Drejt Portugalisë kanë udhëtuar me synime jo të mëdha.
“Pjesëmarrja në Champions është shpërblim për mundin që e kemi bërë gjatë dy edicioneve të kaluar ku kemi fituar titullin e kampionit. Është shpërblim për ekipin dhe qytetin”, ka thënë Beqiragiq para udhëtimit për në Portugali.
Ylli për herë të parë luan në gara evropiane. Liga e Kampionëve vlerësohet niveli i tretë i garave evropiane, pas Euroligës dhe Euro Cup.
Sipas sajtit zyrtar të Ligës së Kampionëve, Beqiragiq di si të shokojë favoritët.
Benfica është kampione e Portugalisë dhe gjasat e saj për sukses rriten për faktin se është organizatore e ndeshjeve. Benfica e ka fituar titullin e kampionit plot 28 herë. Benfica ka përvojë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, ndërsa vlerësohet se ka formuar skuadër cilësore për këtë garë. Benfica ka në përbërje lojtarë me përvojë si Toney Douglas, Ivan Almeida, Tomas Barroso, Aaron Broussard, Markem Ben Romdhane dhe Maik Zirbes. Edhe FIBA vlerëson se Benfica është favorite e madhe ndaj Yllit.
Ylli ka angazhuar lojtarë si Valon Bunjaku, Bashir Ahmed, Malcolm Armstead dhe Ismet Sejfiq. Ka vazhduar me Chris Harris, Henrik Shirko e Gëzim Morinën, që nuk ka luajtur për shkak të një lëndimi. Në ndeshjen e fundit mungoi edhe Armstead. Por Ylli aktualisht nuk e ka cilësinë që e kishte edicionin e kaluar, pas largimit të Erjon Kastratit dhe Mikaile Tmushiqit.
Sejfiq deri më tani nuk ka shfaqur shumë, ndonëse erdhi si përforcim i madh. Nga reprezentuesi i kohëpaskohshëm i Bosnjës, tek Ylli presin shumë më tepër.
Edhe në Lisbonë, kroati Shirko pritet të jetë prej lojtarëve kryesorë të Yllit.
“Të mërkurën fillojnë kualifikimet. Nëse fitojmë tri ndeshjet, jemi në fazën grupore. Humbja na kthen në shtëpi dhe na zhvendos në FIBA Europe Cup. Rregullat janë të qarta, është ditur se kur fillon gara. Na kanë goditur pak lëndimit, por kështu e ka sporti. Stinori është i gjatë, ndeshja ka shumë. Ne do të jemi më të mirë me kalimin e kohës dhe shpresoj që edhe rezultatet do të vijnë”, ka theksuar Henrik Shirko për KOHËN.
Më parë në Ligën e Kampionëve ka garuar Sigal Prishtina, por pa ndonjë sukses.
Në FIBA Europe Cup, nivelin e katërt evropian, garojnë Trepça dhe Sigal Prishtina. Edhe Trepça e Prishtina fillojnë prej rundeve kualifikuese.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.