Sport

Shotani vlerëson se Drenica e deshi më shumë fitoren

 

Trajneri i Drenicës, Bekim Shotani, ka thënë se skuadra e tij nga ajo që u shfaq në fushën e lojës ndaj Prishtinës, e deshi më shumë fitoren. Shotani ka thënë se ka rrezikuar shumë në duelin kundër kryeqytetasve, megjithatë, e gjithë kjo ia vlejti.

“Së pari duhet t’i falënderoj udhëheqësit e klubit, kryesinë, punëtorët, dhe të gjithë që na kanë përkrahur në çdo moment dhe kanë qenë dora e djathtë. Patën besim te lojtarët dhe te të gjithë. Kjo ka qenë ndihmesë për të gjithë. Kemi nisur shumë vonë përgatitjet, por të përfundosh një ndeshje me këtë ritëm është për t’u përgëzuar. Mburrem me këta djem, karakterin dhe mënyrën se si i kanë kryer detyrat tekniko-taktike. Ishte ndeshje e vështirë pasi patëm një Prishtinë që ka bërë transferime të shumta dhe ka lojtarë me nam, individualisht shumë të mirë. U pa edhe golin kur e shënuan. Por ne nuk u dorëzuam, rrezikuam shumë. Në pjesën e dytë bëmë dy gola dhe kthyem avantazhin. Djemtë u pa që e donin fitoren”, ka thënë Shotani.