Sport

Barcelona me pamje të re tregon shenja pozitive në humbjen nga Bayerni

Barcelona tregoi kundër Bayern Munichut të martën mbrëma se më të keqen e ka lënë pas vetes, por ende nuk ka arritur të arrijë nivelin me elitën e futbollit në kërkimin e lavdisë të Ligës së Kampionëve. Kampioni i Bundesligës, Bayerni, që drejtohet nga Julian Nagelsmann, nuk pati fat në pjesën e parë në “Allianz Arena”, por u përmirësua pas pushimit për të mposhtur një Barcelonë të gjallë, por në fund të frustruar 2:0, me golat e Lucas Hernandezit dhe Leroy Sanet. Katalonjasit e fituan për herë të fundit Ligën e Kampionëve në vitin 2015, duke mposhtur Bayernin në gjysmëfinale në rrugën drejt triumfit në Berlin, por tani kanë pësuar pesë humbje rresht kundër bavarezëve.

Sezonin e kaluar Barça, e rrëmbyer nga largimi i Lionel Messit, u mposht dy herë nga Bayerni, disfata këto që kontribuuan në një eliminim poshtërues në fazën e grupeve të Championsit. Ndërsa një vit më herët, Barcelona pësoi debakël nga Bayerni që e mposhti 8:2 në çerekfinale të garës më elitare të Evropës për klube. Kjo humbje në fakt ishte dëshmi se sa shumë kishte rënë Barcelona me nivelin e lojës të Championsit. Në Muenchen të martën, Barcelona pati raste të mira në pjesën e parë, me ish-sulmuesin e Bayernit, Robert Lewandowski, që hodhi poshtë disa mundësi në kthimin e tij në Gjermani, por dy gola në pesë minutat e pjesës së dytë shuan shpresat e ekipit spanjoll për rezultat pozitiv.

“Ne do të marrim pikat pozitive dhe edhe pse ishte një rezultat negativ, ne mund të mësojmë nga gabimet për ndeshjet e tjera”, tha trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez. “Është një hap prapa. Ne bëmë mjaftueshëm për të barazuar rezultatin, nëse jo për të fituar. Kjo humbje nuk është e merituar, por kemi bërë gabime të shumta, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje”.

Lewandowski shpërtheu dhe pati një gjuajtje të mirë me kokë nga afërsia, por ishte portieri Manuel Neuer që reagoi dhe ia mohoi golin në pjesën e parë. Golashënuesi më i mirë i La Ligas këtë edicion dukej jashtëzakonisht i pavendosur para portës në rikthimin e tij në stadiumin “Allianz Arena”, skena e shumë sukseseve të tij gjatë tetë sezoneve të fundit përpara se të kalonte gjatë verës në “Camp Nou”.

“Kur flasim për t’iu bërë ballë sulmeve të ekipeve në Championsit, ne po flasim për ta bërë atë në një kënd ose në një transicion”, tha Xavi, duke iu referuar gabimeve në mbrojtje për dy golat e Bayernit.

“Ka të bëjë edhe me efikasitetin, pasi duhet t’i shfrytëzojmë rastet që i kemi para portës kundërshtare. Ne nuk shënuam edhe pse patëm shtatë raste të pastra. Jam i zemëruar por edhe krenar pasi ekipi dha një sinjal të mirë”.

Mesfushori i Barcelonës, Pedri, pati dy raste të mira ndaj Bayernit. Fillimisht, tentimin e tij e ndali portieri Neuer, ndërsa në mundësinë tjetër e qëlloi shtyllën nga afërsia.

“Në pjesën e parë kishim shumë raste, por nëse nuk i shfrytëzoni kundër skuadrave si Bayerni, përfundoni me humbje”, shtoi Xavi.

Në anën tjetër, Marcos Alonso nuk arriti të gjurmonte Hernandezin në një goditje nga këndi për golin e epërsisë, ndërsa Sane u largua nga ai dhe pjesa tjetër e mbrojtjes së Barcelonës për golin e dytë pa u përballur me një sfidë të fortë në asnjë moment.

“Mund të themi se ishim më të mirë, por ka të bëjë me fitoren”, tha Xavi. “Goli i parë erdhi nga këndi dhe i dyti nga mosndalimi i një kundërsulmi, duhet ta bëjmë këtë. Bayerni është ekip i plotë, ndërsa ne jemi në fillim të ndërtimit si skuadër. Ne duhet të përmirësohemi si në sulm ashtu edhe në mbrojtje për duelet e tjera që na presin në Champions”.