Me ndeshjen Rahoveci – Golden Eagle Ylli fillon edicioni 2022/2023 i Superligës së Kosovës në basketboll. Kjo ndeshje luhet të shtunën prej orës 17:00 në Rahovec.
Pra, që në ndeshjen hapëse kampioni aktual, Golden Eagle Ylli nis misionin për ta mbrojtur titullin. Nuk pritet të jetë mision i lehtë për suharekasit. Shumë skuadra synojnë titullin e kampionit, por edhe trofetë e tjerë të basketbollit kosovar.
Gara më e fortë pritet të jetë për titull të kampionit, ndërsa Trepça e Sigal Prishtinës pritet të jenë në mesin e pretendenteve. Por, edhe skuadrat e tjera vlerësohen me gjasa. Për dallim nga edicionet e kaluara nuk ka skuadër që në nismë vlerësohet autsajdere e plotë. Të gjitha skuadrat kanë angazhuar lojtarë të huaj e vendorë dhe me kohë kanë nisur përgatitjet. Kjo bën që secila ndeshje të pritet me interes dhe që secila potencialisht të jetë derbi.
Kampioni aktual, Ylli, në fillim mund mos ta ketë forcën që pritet ta ketë gjatë edicionit të ri. Ylli deri para pak ditësh e kishte trajnerin Adis Beqiragiq të angazhuar në Eurobasket. Ai ka udhëhequr përfaqësuesen e Bosnjë-Hercegovinës.
Rahoveci ka formuar ekip konkurrues dhe synon ta sfidojë deri në fund Yllin. Në vitet e fundit ka pasur rivalitet të madh mes këtyre dy skuadrave e po ashtu mes grupeve të tifozëve.
Një ndeshje me rivalitet dhe interesante pritet edhe të shtunën pasdite në Rahovec.
“Ylli është kampion dhe sigurisht nuk është lehtë ta mbrosh titullin. Sidoqoftë do të bëjmë përpjekje maksimale për të arritur synimet tona”, ka thënë fundori Valon Bunjaku, që është kthyer tek Ylli për edicionin e ri. Skuadra suharekase shumë shpejt do të debutojë edhe në Ligën e Kampionëve, por fillimisht do të ketë disa sfida në Superligën e Kosovës.
Rahoveci nuk ka sfida evropiane dhe mund të jetë i fokusuar në kampionatin vendor. “Vreshtarët” kanë bërë ndryshime të mëdha, ndërsa janë të përkushtuar që të kenë edicion të suksesshëm. Në edicionin e kaluar kanë përfunduar në vendin e shtatë, që nuk ishte në përputhje me synimet e paraqitura.
“Përgatitjet i kemi filluar më 15 gusht, ndërsa në javët e fundit kemi punuar me intensitet të lartë. Jemi shumë të kënaqur me fazën përgatitore dhe të gatshëm për fillimin e kampionatit”, ka thënë kapiteni i Rahovecit, Visar Ejupi.
Të shtunën prej orës 19:00 është ndeshja Bashkimi – Vëllaznimi, ndërsa derbit më të mëdhenj janë të dielën.
Sigal Prishtina e Peja takohen nga ora 17:15, derisa Trepça e pret Ponte Prizrenin nga ora 19:00. Të gjitha këto katër skuadra synojnë kreun e tabelës. Që të gjitha janë të vendosura që të shfaqin potencialin që në ndeshjet e xhiros së parë. Andaj priten ndeshje interesante dhe rivalitet. Po ashtu shpresohet në numër të madh shikuesish.
Superliga në basketboll - I
E shtunë
Rahoveci – Golden Eagle Ylli (17:00)
Bashkimi – Vëllaznimi (19:00)
E diel
Sigal Prishtina – Peja (17:15)
Trepça – Ponte Prizreni (19:00)