Serena Williams është përshëndetur nga US Open dhe nga karriera e saj e shkëlqyer.
Williamsi, mes skenës emocionale, u përshëndet me të gjithë pasi u mposht nga australiania Ajla Tomljanoviq.
40-vjeçarja Williams ka thënë se mund të jetë meçi i fundit.
Ajo do ta mbyllë karrierën e saj 27-vjeçare në tenisin profesionist. Gjatë kësaj periudhe, Williamsi fitoi 23 turne të mëdhenj, dhe vlerësohet si një prej tenisteve më të mira në historinë e këtij sporti.
Williamsi u mposht 7:5, 6:7 dhe 6:1 dhe u përlot menjëherë pas përfundimit të takimit.
Pasi u përshëndet, në arenën ku u zhvillua meçi u lëshua kënga “Simply The Best” - (Thjesht Më e Mira), e kënduar nga Tina Turner.
“Dua t’i falënderoj të gjithë që janë këtu, të gjithë ata që kanë qenë me mua për kaq shumë vjet, dekada. O Zot, dekada”, tha Williams, që debutoi në tenisin profesionist si 14-vjeçare në vitin 1995.
“Gjithçka filloi me prindërit e mi. Ata meritojnë çdo gjë. U jam mirënjohëse. Dhe nuk do të ishte Serena nëse nuk do të ishte Venusi, motra, kështu që faleminderit Venus. Ajo është arsyeja e vetme pse Serena Williams ka ekzistuar”, ka thënë Serena Williams.
Tomljanoviq kalon në raundin e katërt dhe do të luajë ndaj tenistes nga Rusia, Liudmila Samsonova.