Sport

Drita kërkon të kthehet te fitorja ndaj Llapit

Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, pret që ekipi i tij të kthehet te fitorja ndaj Llapit, ndeshje kjo që luhet të shtunën dhe i takon xhiros së pestë të Superligës së Kosovës në futboll.

Ndeshja luhet në stadiumin me bari sintetik në qytetin e Gjilanit dhe nis në orën 15:00.

Në konferencën për shtyp të mbajtur të premten, Nuhiu ka insistuar se Drita duhet ta konkretizojë me fitore formën e mirë që e ka shfaqur në ndeshjet e fundit. Në fakt Drita deri më tani ka vetëm një fitore. Ka edhe dy barazime në tri ndeshje të luajtura. Duelin e xhiros së tretë ndaj Prishtinës nuk e ka luajtur ende për shkak se stadiumi “Fadil Vokrri” ishte i zënë me ndeshje ndërkombëtare.

Javën e shkuar Drita barazoi 1:1 në udhëtim te Ferizaj.

Nuhiu ka pranuar se përballja me Llapin nuk do të jetë aspak e lehtë. Ai vlerëson lart ekipin nga Podujeva.

“Na pret ndeshje e rëndësishme dhe si të tillë do ta trajtojmë. Kundërshtari meriton respekt maksimal, kurse ne ndeshjen do ta luajmë me përqendrim dhe vlerësim të madh. Në dy ndeshjet e fundit skuadra ka pasur një qasje të mirë dhe seriozitet. Kështu që besoj se edhe ndaj Llapit do ta kemi të njëjtën qasje dhe do të luajmë me formën e njëjtë që e kemi pasur. Pres të jemi kërkues dhe sigurisht që do të kemi qasje agresive. Do të kërkoj vetëm të jemi më të qetë para portës apo edhe të kemi fatin sportiv për ta fituar këtë ndeshje”, është shprehur Nuhiu.

Nuhiu ka thënë se i vjen keq që ka lëshuar pikë në dy barazimet me Ferizajn dhe Trepçën ’89. Mirëpo ka insistuar se është vetëm fillimi i kampionatit dhe se Drita do t’i rikuperojë të gjitha pikët duke filluar nga derbi me Llapin. Dritës edhe në këtë ndeshje do t’i mungojë mesfushori Muharrem Jashari që po rikuperohet nga lëndimi i pësuar në xhiron e parë.

“Realisht të vjen keq për katër pikët e lëna në këto ndeshje, por mënyra se si jemi paraqitur dhe kemi zhvilluar ndeshjet nuk ka munguar dëshira. Përkundrazi, ekipi ka qenë shumë i motivuar dhe ka krijuar aq shumë raste. Në momentin që krijojmë nuk mërzitem aspak, sepse është çështje kohe kur do të fillojë të fitojë skuadra. E mira e kësaj është se jemi vetëm në fillim të kampionatit dhe ne kemi mundësi t’i rikuperojmë pikët e lëna dhe mund të fillojmë nga ndeshja me Llapin”, insistoi Nuhiu.

Fitore ndaj Llapit kërkon edhe mbrojtësi i krahut të majtë, Ilir Blakçori, i cili më herët ka qenë pjesë e ekipit nga Podujeva.

“Do të jetë ndeshje e vështirë, pasi Llapi ka ekip të mirë. Shpresoj të kemi paraqitje të mirë dhe të rikthehemi te fitorja”, ka thënë Blakçori.

Në anën tjetër, trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka insistuar se ekipi i tij do të udhëtojë në Gjilan për të nxjerrë më të mirën nga dueli me Dritën – tri pikët. Sikurse Drita, edhe Llapi këtë edicion ka vetëm një fitore, por në një ndeshje më shumë të luajtur. Duelin e fundit, Llapi e humbi në shtëpi nga skuadra e Prishtinës.

“Nuk do të jetë aspak ndeshje e lehtë, pasi përballemi me një skuadër të fortë dhe shumë mirë të organizuar sikurse Drita. Mirëpo ne jemi të gatshëm dhe shkojmë për të dhënë më të mirën nga vetja. Besoj në një paraqitje të mirë të Llapit, pasi duam të kthehemi me fitore nga ky udhëtim”, është shprehur Batatina.

Të shtunën zhvillohet edhe një ndeshje tjetër e xhiros së pestë. Në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, Trepça ’89 përballet me skuadrën e Malishevës. Të dy ekipet kanë nga tri ndeshje të luajtura deri më tani dhe vetëm një pikë i ndan në tabelë. Malisheva është e shtata me tri pikë, ndërsa 89-shi zë vendin e tetë me dy pikë.

Superliga – V

E shtunë

Drita – Llapi (15:00)

Trepça ’89 – Malisheva (15:00)

E diel

Drenica – Ferizaj (15:00)

Dukagjini – Gjilani (15:00)
Prishtina – Ballkani (20:00)


1. Gjilani 4 10

2. Prishtina 3 7

3. Ballkani 2 6

4. Drita 3 5

5. Llapi 4 5

6. Drenica 4 4

7. Malisheva 3 3

8. Trepça ’89 3 2

9. Ferizaj 4 2

10. Dukagjini 4 1