Sport

Thaqi flet për kundërshtarët e Ballkanit në grup

Mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi, ka folur për kundërshtarët që Ballkani do t’i ketë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

Ballkani do të paraqitet në Grupin G të kësaj gare, ndërsa do të përballet me Slavia Pragën, Clujin dhe Sivasporin.

Thaqi për KOHËN menjëherë pas tërheqjes së shortit, ka pranuar se grupi nuk është i lehtë. Megjithatë, ai ka thënë se janë evituar kundërshtarët e fortë si West Ham Unitedi, Fiorentina apo edhe Villarreali.

“Kemi mundur të kemi kundërshtarë edhe më të vështirë në grup, por as këta që i kemi nuk janë të lehtë. E them këtë sepse nuk janë kualifikuar aksidentalisht në fazën e grupeve. Po ashtu, as ne nuk jemi kualifikuar aksidentalisht por e kemi merituar. Kështu që, na presin gjashtë ndeshje të forta dhe besoj se do të jemi gati ta dëshmojmë veten edhe në fazën e grupeve”, ka thënë Thaqi.

“Do të mundohemi të japim më të mirën nga vetja dhe të fitojmë ndonjë ndeshje sepse nuk do të kënaqemi vetëm me pjesëmarrje në fazën e grupeve. Do të angazhohemi maksimalisht për të marrë ndonjë rezultat të mirë”.

Thaqi nuk e ka veçuar ndonjërin prej kundërshtarëve, por ka thënë se nuk kanë nivel shumë të lartë sesa Ballkani.

“Nuk mund të veçoj ndonjërin nga kundërshtarët, sepse nuk kemi njohuri të madhe. Duhet pranuar se janë pak më larg nga ne, por jo në nivel aq të lart sa të ndihemi inferior ndaj tyre”.