Sport

Casemiro përshëndetet i përlotur nga Reali

Mesfushori Casemiro të hënën ka mbajtur një konferencë për shtyp, në të cilën është përshëndetur nga skuadra e Real Madridit.

30-vjeçari do ta vazhdojë karrierën te Manchester Unitedi, ekip që pagoi 70 milionë euro për kartonin e tij.

Gjatë fjalimit të tij, Casemiro nuk ka mundur t’i përmbajë lotët dhe ka falënderuar klubin për gjithçka. Ai ka thënë se pas përfundimit të finales të Ligës së Kampionëve, kishte kuptuar se kishte ardhur koha për një sfidë të re në karrierë.

“Me të përfunduar finalja e Championsit kam biseduar me klubin, që e kuptoi plotësisht vendimin tim. Kisha ndjenjën se cikli im te Reali ka përfunduar, dhe isha në kërkim të një sfide të re. Kisha nevojë për një ndryshim. Nuk kishte të bëjë me paratë, por me ndjenjën”, është shprehur Casemiro.

“Largimi nga Reali nuk ishte aspak i lehtë, por kështu e ka karriera e futbollistit”.

Ai ka thënë se karrierën po e vazhdon te Manchesteri Unitedi, ekipi më i mirë në Angli.

“Jam i emocionuar për sfidën e re dhe shpresoj ta ndihmoj klubin të fitoj”, ka thënë ndër të tjera Casemiro, i cili me fanellën e Realit fitoi 18 trofe.