Sport

Te Fulhami presin shumë nga Pajaziti

Mesfushorit të Përfaqësueses U21 të Kosovës, Adrion Pajaziti, i kanë mjaftuar vetëm tri paraqitje këtë edicion në Premier League 2, për t’i bindur drejtuesit e Fulhamit që t’i ofrojnë kontratën e re.

Fulhami të premten ka njoftuar se Pajaziti ka firmosur kontratë të re trevjeçare me opsionin edhe për vitin e katërt. Me këtë kontratë, Pajaziti është konfirmuar se do të jetë pjesë e Fulhamit deri në verën e vitit 2025. Te Fulhami, ekip që këtë edicion është rikthyer në Premier League, presin shumë nga Pajaziti. 19-vjeçari stërvitet me ekipin e parë, por luan me ekipin U21 të Fulhamit, në të cilin është promovuar vitin e shkuar. Ai si futbollist është zhvilluar në akademinë e Fulhamit, ndërsa sezonin e shkuar ka debutuar me ekipin e parë. Luajti gjatë tërë ndeshjes në fitoren 2:0 kundër Birmingham Cityt në kuadër të Carabao Cup. Për ekipin U21, Pajaziti sezonin e shkuar ka shënuar dy gola dhe ka bërë pesë asistime në 24 paraqitje. Pajaziti prej moshës 11-vjeçare është pjesë e akademisë së Fulhamit duke kaluar nëpër të gjitha gjeneratat.

“Jam i kënaqur që Adrioni ka zgjatur kontratën e tij me klubin”, ka pranuar drejtori i akademisë së Fulhamit, Mike Cave. “Ai ka vazhduar këtë sezon aty ku e la të fundit, duke kontribuar ndjeshëm me paraqitjet mbresëlënëse tek ekipi U21”.

Në fakt, drejtori Cave është i bindur se nëse Pajaziti vazhdon me paraqitje të tilla për ekipin e dytë, atëherë shumë shpejt këtë edicion mund ta shohim duke luajtur në Premier League me ekipin e parë të Fulhamit.

Pajaziti në shtator të vitit të shkuar ka debutuar me Përfaqësuesen U21 të Kosovës. Deri më tani ai ka regjistruar tri paraqitje për “Dardanët” e rinj.

“Jam i emocionuar ta shoh atë të vazhdojë të zhvillohet edhe më shumë dhe të bëjë hapin tjetër në futboll duke luajtur për ekipin e seniorëve”, është shprehur Cave.

Pak orë pas firmosjes së kontratës të re, Pajaziti ishte titullar te ekipi i dytë i Fulhamit që barazoi 2:2 kundër Crystal Palacet. Ai në këtë ndeshje luajti deri në minutën e 76-të.