Sport

Unitedi me telashe, e pret Liverpoolin në “Old Trafford”

Descriptive Text

Në Premier League zhvillohet xhiroja e tretë dhe do të ketë ndeshje të forta.

Ndeshja më interesante do të luhet të hënën nga ora 21:00, kur Liverpooli udhëton te Manchester Unitedi, në një prej ndeshjeve më të mëdha në gjithë futbollin anglez.

Të dyja skuadrat kanë dështuar ta fitojnë dy ndeshjet e para.

Liverpooli konsiderohet favorit ndaj Unitedit, që nuk po kalon formë të mirë nën drejtimin e trajnerit Erik ten Hag. Në vikend Unitedi u mposht 4:0 nga Brentfordi.

“Të kuqtë” e drejtuar nga Juergen Klopp kanë dominuar ndaj Unitedit në vitet e fundit.

Në tetë duelet e fundit nuk dinë për humbje dhe kanë bilanc prej pesë fitoreve e tri barazimesh.

Tri ndeshjet e fundit të Premier Leagues kanë përfunduar me shifrat 4:0, 5:0 dhe 4:2 në të mirë të Liverpoolit.

Liverpooli pritet të jetë pa dyshen e sulmit, Darwin Nunez dhe Diogo Jota. Jota është i lënduar ndërsa 23-vjeçari uruguaian u përjashtua në ndeshjen e fundit.

Unitedi është në pozitën e fundit në tabelë për herë të parë që prej vitit 1992.

Ky ballafaqim edhe e mbyll xhiron e tretë në Angli.

Kryesuesi i tabelës dhe kampioni në fuqi i Premier Leagues, Manchester City, do të ketë udhëtim të gjatë, pasi do të luajë kundër Newcastle Unitedit, të dielën nga ora 17:30.

Xhiron e tretë e hap takimi mes Tottenhamit dhe Wolverhamptonit, të shtunën nga orën 13:30.

Spursi ka marrë katër pikë nga dy duelet e para, ndërsa Wolvesi vetëm një. Barazoi javën e kaluar me Fulhamin.