Ndoshta është e përshtatshme që në një vend ku makaronat janë ushqimi kryesor, një lojtar me nofkën “The Noodle” shkëlqeu në debutimin e tij. Fjala “Noodle” në Itali përkthehet ndryshe si pasta, ndërsa në futboll ka të bëjë me një lojtar të aftë teknikisht. Transferimi i ri, Angel di Maria, ishte në qendër të çdo lëvizjeje të mirë nga Juventusi në ndeshjen hapëse të së hënës mbrëma në Serie A. Ai shënoi një gol dhe asistoi një tjetër në një fitore 3:0 ndaj Sassuolos pasi Juventusi dukej shumë ndryshe nga skuadra që shpesh etiketohej si e mërzitshme përgjatë sezonit të shkuar. Kjo është arsyeja pse një dëmtim që ai mori gjithashtu është një goditje e rëndë për Juventusin. Di Maria u detyrua të largohej në minutën e 66-të për shkak të një dëmtimi në kofshën e majtë dhe patjetër do të humbasë ndeshjen e së hënës në Sampdoria. Ai mund të rikthehet për ndeshjen e ardhshme të vështirë kundër Romës në varësi të rezultateve të testeve të mëtejshme në fund të javës së ardhshme.
“Ndoshta duhet ta kisha zëvendësuar kur shënuam golin e tretë, por ai po kënaqej në fushë”, tha trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri.
Di Maria është problemi më i fundit i lëndimeve te Juventusi, i cili tashmë është pa Paul Pogban, Federico Chiesan dhe portierin Wojciech Szczesny. Megjithatë, Moise Kean dhe Adrien Rabiot janë të gatshëm për duelin me Sampdorian, pasi kundër Sassuolos ishin të suspenduar. Megjithatë, nuk pati shumë bujë kur Di Maria iu bashkua Juventusit muajin e kaluar si transferim i lirë pas shtatë vjetësh te Paris Saint-Germaini. Në fakt transferimi i 34-vjeçarit argjentinas u la në hije nga ardhja e Pogbas në Torino në të njëjtën ditë dhe kompletimi i rikthimit të tij në klub vetëm disa ditë më vonë. Por tifozët në stadiumin “Allianz Stadium” – dhe opozita – u mahnitën nga Di Maria të hënën. I mbiquajtur “El Fideo” (The Noodle) për shkak të shtatit të tij të hollë, Di Maria ishte kudo, duke endur rrugën e tij mes mbrojtësve kundërshtarë dhe në thelbin e çdo sulmi të Juventusit ndaj Sassuolos. Ai shënoi golin e parë pothuajse dyfishoi epërsinë përpara se të jepte një asistim të mrekullueshëm për golin e dytë të realizuar nga sulmuesi Dushan Vlahoviq.
“Të luash me Angel di Marias është një ndjesi e jashtëzakonshme, një kënaqësi e madhe”, pranoi Vlahoviq. “E falënderoj për asistimin dhe shpresoj të marr dhe të jap shumë më tepër. Mendoj se do të punojmë mirë bashkë, por e rëndësishme është që ekipi të punojë dhe të fitojë. Angeli luajti një lojë të jashtëzakonshme”.
Megjithatë, nuk ishte gjithçka pozitive për Juventusin. Nisi me një fillim të ngadaltë dhe kishte pak shenja se do të bënte diçka më shumë, pasi Sassuolo pati disa raste për të goditur i pari. Gjërat ndryshuan pas pauzës së freskimit në gjysmën e pjesës së parë. Juventusi rifilloi me një paraqitje krejtësisht tjetër pasi trajneri Allegri kishte biseduar me lojtarët e tij.
“Ishte një moment në të cilin ata kishin pasur mjaft goditje, ne nuk arritëm ta kontrollonim ndeshjen. Lëviza Di Marian dhe Juan Cuadrado në anën tjetër, megjithatë nuk u thashë ndonjë gjë të veçantë djemve”, tha Allegri. “E ndryshova pak për të mbuluar më mirë fushën. Që nga ai moment ne patëm lojën e duhur. Ose kam bërë keq në fillim, ose mirë më pas”.
Rivalët kryesorë të Juventusit për titullin e kampionit - Napoli, Roma, Interi e Milani - fituan gjithashtu ndeshjet hapëse të sezonit 2022/23. Ishte hera e parë në më shumë se 50 vjet që nuk pati barazime në xhiron e parë të sezonit në Serie A. Interi pret Spezian të shtunën, me Milanin që luan në udhëtim te Monza e promovuar këtë sezon në elitën e futbolli italian. Napoli përballet me Atalantan të dielën, ndërsa një ditë më vonë Roma luan me Cremonesen.