Basketbollisti amerikan Rodney Purvis edhe në edicionin e ri do të paraqitet në Superligën e Kosovës. Por me klub tjetër.
Purvis, që në pjesën e dytë të edicionit të shkuar ishte pjesë e skuadrës së Trepçës, është zyrtarizuar të premten te skuadra e Pejës. Me Trepçën, Purvis arriti deri në finale të plejofit, por nuk ia doli ta fitojë titullin e kampionit, të cilin e mbrojti Golden Eagle Ylli. Ylli e fitoi serinë finale me rezultatin e përgjithshëm 3:1.
Purvis me fanellën e Trepçës regjistroi 15 paraqitje dhe luajti me një mesatare prej 15 pikëve, tre kërcimeve e po aq asistimeve për ndeshje. Ishte prej më të dashurve nga tifozët mitrovicas. Ndërkohë ishte dalluar sidomos në serinë gjysmëfinale ndaj Pejës, ku rivaliteti i tifozëve ishte i madh.
“Rodney Purvis i bashkëngjitet projektin tonë për sezonin 22/23. Purvis më herët kishte luajtur në ligën e ëndrrave, në NBA, për ekipin Orlando Magic. Ndërsa kampionatin e kaluar ndihmoi shumë Trepçën në arritjen në finale”, thuhej në njoftimin e Pejës.
Purvis do të jetë vetëm njëri prej pesë amerikanëve, të cilët u prezantuan te Peja brenda dy ditësh. Jalen Tate, Brad Waldow, Taylor Adway e Isiah Umipig janë amerikanët që kompletojnë skuadrën e Pejës, sa u takon lojtarëve të huaj.
Për dallim prej edicionit të shkuar, në edicionin 2022/23 klubet kanë të drejtë të kenë një të huaj më shumë në bankën e rezervistëve, pas ndryshimeve të propozicioneve të garave. Kampionatin e kaluar janë lejuar katër të huaj në skuadër dhe vetëm tre në parket. Tani lejohen pesë në skuadër, por vetëm tre prej tyre kanë të drejtë të jenë njëkohësisht në parket.
Tate sezonin e fundit ishte pjesë e ekipit elitar të Gjermanisë, Gieban 46ers. Qendra Waldow (208 cm) ka përvojë të madhe pasi ka luajtur në Belgjikë, Francë, Poloni e Japoni. Adway në Evropë karrierë ka bërë në Gjeorgji e Kroaci, ndërsa fundori Umpipig edicionin e shkuar ka qenë pjesë e Nyonit të Zvicrës, derisa ka luajtur edhe në Sllovaki, Kanada, Turqi, Lituani e Ukrainë.
Për dallim prej numrit të madh të huajve, Peja nuk ka shumë vendorë. Ekipit i është larguar kapiteni Dardan Berisha, që ka firmosur me Sigal Prishtinën, ndërsa nuk pritet të kthehet as Daniel Lekndrejaj, që është pajisur me pasaportë kosovare. Arti Hajdari e Arian Qallaku do të jenë pjesë e ekipit, së bashku me lojtarët e talentuar si Olsi Kurtaj e Dardan Maxharraj, që kanë firmosur kontrata afatgjate.
Në krye të Pejës do të jetë trajneri nga Turqia, Can Sevim, që ka punuar në elitën e basketbollit turk me skuadrat si Ted Ankara, Afyon Belediyespor e Petkim SK.
Skuadra e Pejës në edicionin e shkuar arriti ta fitojë Ligën Unike.
Trajneri Sevim ka disa ditë që ka nisur përgatitjet për stinorin e ri, ndërsa nën urdhrat e tij janë edhe lojtarët e huaj që tashmë janë bashkuar me skuadrën.