Sport

E rrallë, trajneri nga Kosova merr drejtimin e ekipit hungarez

“Po e fillojmë stinorin me kryetrajner të ri”. Kështu ka njoftuar të martën Veszprem University Sports Club, i njohur ndryshe si VESC.

VESC është shoqëri sportive. Ky klub universitar e ka edhe skuadrën e volejbollisteve, që aktualisht luan në kategorinë e dytë të Hungarisë. Volejbollistet e Veszpremit në edicionin e ri do t’i drejtojë trajneri kosovar Edon Ibrahimi.

Ibrahimi ka realizuar lëvizje të rrallë për volejbollin kosovar. Nga një klub i vendit ka kaluar te një klub i huaj. Dhe atë si kryetrajner.

Ibrahimi të martën ka nisur punën. Ai në postin e trajnerit e ka zëvendësuar Szokolikne Kalmar Judit. Ajo është emëruar menaxhere e volejbollit në klub.

“Kemi arritur rezultate të mëdha me Juditin në vitet e kaluara. Por bashkë kemi vendosur që të angazhojmë një trajner me orar të plotë për edicionin e ri. Kemi kërkuar një trajner të ri, ambicioz e profesional, që përshtatet me idetë tona. Ndiej që kemi gjetur personin e duhur për këtë”, ka thënë drejtori menaxhues i VESC, Gergely Szokolik.

Ibrahimi, 27-vjeçar, deri më tani ka drejtuar skuadrën ferizajase Fer Volley. Me Fer Volley ai fitoi Kupën e Federatës, që është një turne, ishte në finale të Kupës së Kosovës dhe në finale të plejofit në Superligë.

Ai ka udhëhequr edhe Përfaqësuesen e Kosovës në volejboll në rërë, ndërsa është trajner i Kosovës U17 (vajzat).