Sport

Nuhiu: Mund të mësoj ende nga Klose

Ish-sulmuesi i Kosovës, Atdhe Nuhiu, ka thënë se mosha nuk e pengon të mësojë më shumë nga trajneri i tij tek Altachu, Miroslav Klose.

Klose është legjenda e Gjermanisë. Mban rekord për gola të shënuar me Përfaqësuesen e Gjermanisë, po ashtu mban edhe rekordin për më së shumti gola të shënuar në Kampionate Botërore. Për Gjermaninë shënoi 71 gola, ndërsa në botërore, 16.

Nuhiu të martën në një intervistë dhënë për “ligaportal.at” ka theksuar se nëse është në qendër të vëmendjes, mund të bëjë sensacion.

Pas bashkëpunimit me Klosen, Nuhiu ka ringjallur plotësisht karrierën. Madje ka shpërthyer në fillim të këtij edicioni. Në katër ndeshje zyrtare, 33-vjeçari ka realizuar gjashtë gola, ndërsa e ka edhe një asistim.

Në tri ndeshje kampionale ka realizuar katër gola e një asistim. Pas një humbjeje e një barazimi, Altachu të dielën shënoi fitore. Fitoi 3:2 ndaj Austria Vjenës, ndërsa Nuhiu e shënoi golin e fitores.

“Ai tashmë më ka dhënë një, dy, tri këshilla. Edhe pse tashmë jam 33-vjeçar, mund të mësoj ende shumë prej tij”, ka thënë Nuhiu.

Ai ka folur edhe për të ardhmen. Pret që të luajë edhe për shumë vjet futboll në nivel klubesh. Vitin e kaluar Nuhiu njoftoi për pensionimin nga Kosova.