Sport

Zeqiri iu bashkua Baselit për t’u ftuar në Botëror nga Zvicra

Andi Zeqiri me fanelle te Baselit ne duel kunder Young Boysit

Sulmuesi Andi Zeqiri pati mundësi të mira në ndeshjen e parë me fanellën e Baselit në kampionatin e Zvicrës. Megjithatë, ai nuk arriti të shënojë dhe Baseli luajti pa gola në shtëpi ndaj Young Boysit. Zeqiri ishte startues dhe u aktivizua deri në minutën e 75-të të ndeshjes. Edhe pse nuk shënoi, Zeqiri është ndarë i kënaqur me paraqitjen e tij në kampionatin zviceran.

“Ishte ndeshja e parë dhe pata emocione. Sigurisht, do të kisha dashur të shënoja në ndeshjen e parë, por nuk pata fat. Megjithatë, jam optimist i madh për ndeshjet e ardhshme”, garanton Zeqiri. “Do të përmirësohem individualisht dhe po ashtu do ta ndihmoj shumë ekipin në aspektin kolektiv. Trajneri Alex Frei ka një plan specifik për këtë dhe jam i sigurt se do të tregohet i suksesshëm”.

Zeqiri iu bashkua Baselit në fillim të javës së shkuar, por sulmuesi i huazuar nga Brightoni nuk ka nevojë t’i nënshtrohet një periudhe adaptimi në Zvicër. Trajneri i Baselit, Frei vendosi t’i besojë menjëherë Zeqirit. E inkuadroi në 20-të minutat e fundit në humbjen 1:0 nga Brondby në kuadër të duelit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës, përpara se t’ia besoj vendin e titullarit ndaj Young Boysit duke befasuar të gjithë me vendimin e tij. Ai ka thënë se është i kënaqur që është kthyer në Zvicër dhe ka bërë me dije se synon të jetë pjesë e përfaqësueses “helvetike”.

“Jam shumë i lumtur që jam kthyer në Zvicër pas dy vjetësh që u largova. Pikërisht, nga ky kampionat edhe e mora ftesën te Përfaqësuesja A e Zvicrës. Shpresoj që të kthehem së shpejti edhe te Zvicra”, insistoi Zeqiri.

Sulmuesi 23-vjeçar ishte i detyruar të gjente ekip për të luajtur përpara se të fillonte sezoni në Angli. Ai ende ka kontratë me Brightonin deri në vitin 2024, por nuk bënte pjesë në planet e klubit. Zeqiri thotë se kalimi te Baseli është bërë në momentin e duhur, duke pasur parasysh se Kampionati Botëror “Katari 2022” nis në fund të muajit nëntor. Ai beson se me paraqitjet e mira te Baseli, do të mund të marrë ftesë për të qenë pjesë e Zvicrës në Botëror. Zeqiri te Zvicra ka debutuar në shtator të vitit të shkuar dhe deri më tani ka shtatë paraqitje, të fundit në muajin mars të këtij viti, në miqësoren kundër Kosovës kur luajti për nëntë minuta.

“Në çdo fazë përgatitore para fillimit të sezonit, është e natyrshme që dua të luaj një rol në ekip. Kështu që, duke pasur parasysh se Botërori po ofrohet ishte e nevojshme të largohem nga Brightoni për të gjetur ekip. Dhe, Botërori është një prej arsyeve që zgjodha t’i bashkohem Baselit. Po ashtu, Baseli ishte një prej klubeve të para që shprehu interesim për mua”, shton Zeqiri.

Zeqiri doli si talent i futbollit zviceran kur shpërtheu me paraqitje të mira te skuadra e Lausannet. Pritjet prej tij ishin të mëdha, saqë ai direkt nga kategoria e dytë e Zvicrës u transferua në ligën më të fortë në botë, Premier League. Ai iu bashkua Brightonit, por nuk pati shumë sukses. Në sezonin e parë regjistroi nëntë paraqitje, përpara se të huazohet në Bundesligë tek Augsburgu, ku shënoi dy gola në 22 paraqitje. Por, as te Augsuburgu nuk e kishte të sigurt vendin e titullarit. Periudhën e kaluar te Brightoni dhe Augsburgu, Zeqiri nuk e quan të dështuar.

“Jo, nuk është dështim, sepse secila periudhë ofron një përvojë për mua dhe kjo është pjesë e futbollit”, tha Zeqiri, i cili foli për synimet e tij me Baselin. “Jam i fokusuar për t’u përmirësuar në çdo aspekt dhe për ta ndihmuar ekipin të arrij synimet. Dhe, jam në klubin më të mirë në Zvicër për ta bërë këtë, kështu që besoj se do t’ia dalë mbanë”.

Te Baseli, Zeqiri nuk do të jetë as i pari, e as i fundit që synon këtë rrugë. Ai te skuadra zvicerane ka prej kujt të mësojë, trajnerit Frei që ka qenë një sulmues i spikatur. Nëse ia del mbanë të tregojë paraqitje të mira te Baseli, atëherë Zeqiri mund të marrë ftesë nga përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin për turneun e Katarit.