Sport

Barça ia jep Lewandowskit numrin e Depayt

Sulmuesi Robert Lewandowski është prezantuar të premten në “Camp Nou” përpara tifozëve të Barcelonës. Gjatë prezantimit të tij, ra në sy se polaku te Barcelona do ta bartë fanellën me numrin nëntë, ndonëse në ndeshjen parasezonale e kishte numrin 12.

Lewandowski do ta ketë numri nëntë, të cilin e ka bartur sezonin e shkuar Memphis Depay, i është dhënë nga drejtuesit e klubit dhe këtë e ka konfirmuar edhe presidenti Joan Laporta.

Laporta tha se me këtë vendim të klubit ishte pajtuar edhe holandezi Depay.

“Është vendim i klubit”, tha Laporta. “Për arsye që i interesojnë klubin, për imazhin, për publicitetin. Menduam se ishte vendimi i duhur. U bë në lidhje me Memphisin, i cili e kuptoi në mënyrë të përsosur. Respekt të plotë për Memphisin”.

Lewandowski iu bashkua Barcelonës këtë verë nga Bayern Muencheni për 45 milionë euro dhe me ekipin spanjoll firmosi kontratë deri në vitin 2026.