Kampioni i Maqedonisë së Veriut në futboll, Shkupi, është ankuar në prag të ndeshjes me skuadrën e Shamrockut, që do të luhet sot prej orës 20:00 në Irlandë, në kuadër të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Evropës.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Shkupi ka thënë se është maltretuar nga qeveria irlandeze, që nuk i ka lejuar të zbarkojnë në Dublin, por 300 kilometra larg kryeqytetit.
Nëpërmjet postimit, Shkupi ka kërkuar ndihmë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut që të ndërhyjë për t’ua mundësuar kthimin nga Dublini pas ndeshjes.
“Skuadra jonë po pengohet në një mënyrë kaq të pahijshme, me mashtrime. Pavarësisht buxhetit tonë, ne po përpiqeshim t'i mbanim lojtarët tanë rehat duke rezervuar një aeroplan çarter dhe duke paguar mijëra euro për t'u siguruar që lojtarët tanë mund të arrinin me shëndet të mirë, por qeveria irlandeze nuk e dëgjoi UEFA-n, pavarësisht ndërhyrjes së tyre, na zbarkoi 300 km larg Dublinit dhe i dha ekipit tonë një trajtim të pamerituar në këtë rrugëtim.. Po kështu, pas ndeshjes do ta kthejë 300 km mbrapa dhe do të fluturojnë prej andej. Fatkeqësisht, kjo nuk i është bërë asnjë ekipi tjetër përveç ekipit të Maqedonisë së Veriut, vetmia jonë është shfaqur sërish teksa përparonim në rrugën evropiane. Lusim Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut që të paktën të organizojmë kthimin sonte në Dublin”, ka shkruar Shkupi.
Megjithatë, përkundër kësaj, Shkupi i ka kujtuar irlandezëve se ka një ekip me karakter të fortë dhe ka thënë se lojtarët nuk do të dorëzohen për asnjë moment në fushë.
“Vetëm FC Shkupin e trajtuan kështu, por a mund të na trajtoni njësoj nëse do të paraqitej ndonjë ekip italian, spanjoll, gjerman apo anglez? Shpresojmë që qeveria jonë t'i përgjigjet kësaj situate, me respektin tim për publikun”, përfundon njoftimi.