Donis Avdijaj ka bërë një tjetër hap para në karrierë. Me kalimin te Zuerichu, Avdijajt i janë hapur dyert për kthim edhe te Përfaqësuesja e Kosovës. Sulmuesi 25-vjeçar të hënën ka kompletuar transferimin te kampioni i Zvicrës, skuadra e Zuerichut. Avdijaj te Zuerichu ka kaluar nga Harbergu austriak, ndërsa ka firmosur për tri vjet. Te Zuerichu kanë vlerësuar lart transferimin e Avdijajt.
“Donisi ka aftësi të mëdha të futbollit. Ai mund të shfrytëzohet në shumë pozita në sulm dhe ka cilësi në përfundimin e aksioneve”, ka thënë Marinko Jurendiq, drejtor sportiv i Zuerichut.
E sulmuesi Avdijaj ka insistuar se i pëlqejnë sfidat. Ai ka thënë se tek ekipi zviceran do ta ketë mundësinë për të luajtur në garat e UEFA-s këtë edicion.
“Çdo sportist përpiqet të zhvillohet dhe të përballet me sfida të reja. Lëvizja ime në Zuerich do të thotë se mund të luaj ndeshje ndërkombëtare këtë sezon”, ka thënë Avdijaj pas kalimit nga Harbergu te Zuerichu.
Ai po ashtu, është shprehur i lumtur që do ta ketë rastin të jetë sërish nën urdhrat e trajnerit Franco Foda. Avdijaj me trajnerin Foda ka punuar kur ishte pjesë e ekipit tjetër nga Austria, Sturm Grazit.
“Mbi të gjitha, mundësia për të qenë sërish nën urdhrat e Franco Fodas më bëri të marr këtë vendim”, është shprehur Avdijaj.
Avdijaj vlerësohej talent i madh në moshë të re, por asnjëherë nuk e ka shfaqur më të mirën që i parashikohej. Ishte zhvilluar në Gjermani te Osnabrucku dhe Schalke, ekip që i kishte vënë një klauzolë të lartë largimi. Kishte luajtur disa ndeshje për ekipin e parë të Schalkes, ndërsa karrierë ka bërë edhe te Sturm Grazi, Roda, Willem II, Trabzonspori, Hearti, Emmeni, Limmasoli dhe së fundi te Hartbergu. Ka luajtur edhe për U16, U17 e U19 të Gjermanisë, ndërsa pjesë e Kosovës ishte në vitet 2017 e 2018, ku i luajti gjashtë ndeshje dhe i realizoi dy gola për “Dardanët”. Avdijaj në vitin 2017 vendosi ta përfaqësojë Kosovën. Paraqitjen e fundit me Kosovën, ai e pati në vitin 2018 kundër Maltës në kuadër të Ligës së Kombeve. Shënoi dy gola për 19-të minuta lojë në fitoren e “Dardanëve” 5:0. Por, më nuk u futa. Avdijaj pati rënie në karrierë. Nga viti 2018 ndërroi gjashtë klube. Zuerichu është klubi i dhjetë në karrierë. Para se t’i bashkohej Zuerichut, Avdijaj shënoi dy gola në hapje të edicionit të ri në Austri.
Paraqitjet e mira te Hartbergu dhe kalimi te Zuerichu mund t’ia hapin dyert sërish për një kthim te Kosova. Drejtori i Përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti ka thënë se kthimi i formës së Avdijajt nuk është lënë pa u vërejtur edhe nga përzgjedhësi, francezi Alain Giresse.
“Kriteret e përfaqësueses secili lojtar tashmë i di. Dhe, kur plotësohen kriteret, pra kur bëhet një transferim në një klub më mirë të organizuar, dyert e Kosovës janë për të gjithë të hapura e aq më tepër për Avdijajn, të cilin e njohim si lojtar. Ai ka qenë me ne dhe sigurisht se dyert janë të hapura për të. Urojmë që ai të adaptohet sa më shpejtë në klubin e ri, ndërsa neve na mbetet si staf i Përfaqësueses ta përcjellim formën e tij. E kemi përcjellë së fundi te Harbergu dhe jemi të kënaqur me paraqitjet e tij. Edhe selektori e njeh. E njeh Donisin, po ashtu edhe të gjithë lojtarët që kanë qenë në të kaluarën. Ka filluar të interesohet e t’i përcjellë edhe vetë. Ne ruajmë kontaktet, ndërsa është e selektorit të vendosë ta ftojë apo jo”, ka thënë Sahiti për KOHËN.