Sport

Rexhbeçaj ka synime të mëdha me Augsburgun

Mesfushori Elvis Rexhbeçaj pritet të debutojë me fanellën e Augsburgut vetëm pak ditë pas prezantimit të tij te skuadra e Bundesligës. Rexhbeçaj u prezantua të mërkurën tek Augsburgu, ndërsa të dielën ka gjasa të mëdha të paraqitet në fushë me fanellën e ekipit të ri. Augsburgu e nis sezonin 2022/23 me ndeshjen e Kupës së Gjermanisë në udhëtim ndaj BW Lohne, ekip që bën gara në kategoritë e ulëta të futbollit gjerman. Rexhbeçaj tek Augsburgu shihet si përforcim i rëndësishëm për sezonin 2022/23 në Bundesligë, që starton të premten e ardhshme.

Ai te kjo skuadër u transferua nga Wolfsburgu për katër milionë euro dhe firmosi kontratë deri në verën e vitit 2026. Rexhbeçaj ka thënë se ndihet i gatshëm për ta ndihmuar Augsburgun në sezonin e ri pas përvojës që e ka marrë sezonet e fundit në elitën e futbollit gjerman. Ai në ekipin e parë të Wolfsburgut u promovua në prag të sezonit 2017/18, kurse në dy edicionet e fundit ka luajtur i huazuar te Koelni e Bochumi.

Te Koelni, Rexhbeçaj shënoi pesë gola dhe asistoi tri herë në 30 ndeshje kampionale, kurse edicionin e fundit regjistroi 32 ndeshje në Bundesligë me Bochumin. Përvojat te Koelni e Bochumi, Rexhbeçaj ka thënë se do ta ndihmojnë shumë tek Augsburgu, ekip në të cilin pretendon të qëndrojë për një periudhë të gjatë. Përfshirë edhe periudhën e kaluar te Wolfsburgu, 24-vjeçari në total i ka luajtur 103 ndeshje në kampionatin gjerman.

“Pas dy huazimeve, në Koeln dhe Bochum, të cilat vërtet më ndihmuan shumë në zhvillimin tim, mund të them se jam jashtëzakonisht i lumtur që jam bashkuar me Augsburgun për një periudhë afatgjate. Bisedat që i pata me drejtuesit e klubit ishin vërtet pozitive dhe me padurim pres të punoj me ekipin dhe trajnerin e ri. Idetë e trajnerit përputhen me stilin tim të lojës dhe mendoj se jam i gatshëm për ta dhënë më të mirën nga vetja duke e ndihmuar ekipin në arritjen e synimeve”, është shprehur Rexhbeçaj.

Tek Augsburgu, mesfushori qendror do ta bartë fanellën me numrin 13. Edhe drejtuesit e Augsburgut kanë pranuar se presin shumë nga Rexhbeçaj, të cilin e shohin si përforcim të rëndësishëm për edicionin e ri. Madje, në klub kanë pranuar se kanë punuar për një kohë të gjatë për ta transferuar Rexhbeçajn. Ai është rritur si futbollist në gjeneratat e reja të Wolfsburgut.

“Ne e kemi parë Elvisin më herët dhe e kemi përcjellë për një kohë të gjatë, kështu që jemi shumë të kënaqur që përfundimisht kemi arritur ta transferojmë. Jam i sigurt se Elvisi do të përmirësojë ekipin tonë dhe do t’i emocionojë tifozët tanë me stilin e tij dinamik, agresiv dhe pasionant të lojës”, ka thënë drejtori sportiv i Augsburgut, Stefan Reuter.

Augsburgu sezonin e fundit ka përfunduar në pozitën e 14-të në tabelë, ndërsa në edicionin e ri klubi ka synime më të madhe pasi synon një vend që dërgon në garat evropiane vitin e ardhshëm.