Sport

Daku synon të jetë kandidat serioz për një vend te Kosova

Mirlind Daku

Katër ndeshje, katër gola. Ky është bilanci i sulmuesit Mirlind Daku me fanellën e skuadrës sllovene Mura. Megjithatë, Daku synon edhe më shumë, pasi insiston se ky është vetëm fillimi. Ai pret ta mbyllë sezonin e ri në Slloveni dhe në garat evropiane me sa më shumë gola të shënuar, në mënyrë që të jetë kandidat serioz për një vend te Përfaqësuesja e Kosovës.

Ai pret të ftohet nga përzgjedhësi i Kosovës, francezi Alain Giresse, për dy ndeshjet e muajit shtator, kur Kosova luan në udhëtim ndaj Irlandës së Veriut dhe në Prishtinë ndaj Qipros, në kuadër të Grupit të dytë të Ligës C, të Ligës së Kombeve. Sulmuesi 24-vjeçar nuk ka debutuar ende në ndeshje kualifikuese për Kosovën. Ka luajtur pesë ndeshje. Të pestat ishin ndeshje miqësore. Por, Daku pret që shpejt ta bëjë debutimin edhe në ndeshje zyrtare. Madje, të jetë edhe pretendues serioz për raportin e sulmuesit të Kosovës. Kosova e ka vetëm Vedat Muriqin si sulmues të qendrës. Muriqi është pjesë e Mallorcas, që bën gara në elitën e futbollit të Spanjës.

“Uroj të mos lëndohem dhe të vazhdoj me këtë ritëm. E pres me padurim kthimin te Kosova, sepse dua shumë që ta përfaqësoj vendim tim të lindjes. E pres me shumë entuziazëm e shumë dashuri atë moment”, ka thënë Daku të mërkurën për KOHËN.

Daku, që është futbollist i Osijekut të Kroacisë, së fundi për Kosovën është paraqitur në ndeshjen miqësore ndaj Gambisë. Luajti 69-të minuta në fitoren minimale 1:0.

Daku nuk ka shënuar asnjë gol në pesë ndeshjet për Kosovën. Por, ai ka qenë goxha i suksesshëm me fanellën e Muras, ku u huazua për herën e dytë nga klubi kroat. Ai dy gola i ka shënuar në dy ndeshjet kualifikuese të Ligës së Konferencës. Një gol shënoi në raundin e parë kualifikues kundër Sfîntul Gheorghe të Moldavisë dhe një tjetër ndaj klubit nga Irlanda, St. Patrick’s Athletic. Ndeshja e parë ka përfunduar 1:1, ndërsa e kthimit luhet të enjten në Fazanerija të Sllovenisë prej orës 20:00. Daku shënoi edhe dy gola të dielën ndaj Domzhales në elitën e futbollit slloven. Mura fitoi me rezultatin 4:3, ndërsa Daku shkëlqeu në ndeshjen e dytë të edicionit të ri. Starti i mirë në kampionat e gëzon Dakun, që shpreson të vazhdojë me këtë formë.

“Jam i kënaqur me paraqitjet e mira dhe pres të vazhdoj me të njëjtin ritëm dhe të njëjtën mënyrë, sepse kemi ndeshje mjaft të rëndësishme në kualifikimet e Ligës së Konferencës ku pretendojmë të futemi në grupe. Na presin ndeshje të forta dhe dua ta ndihmoj ekipin në çdo mënyrë”, është shprehur Daku.

Ai thotë se me punë ka arritur t’i dëshmojë vlerat e tij. Insiston se ka punuar shumë gjatë fazës përgatitore.

“Mua më motivon vetëm vetvetja, puna qe e kam bërë gjatë fazës përgatitore dhe normal edhe përkrahja e familjes. Çelësi i këtij starti të mirë është puna e madhe dhe besimi i klubit që ka ndaj meje”, ka thënë sulmuesi shtatlartë.

Në fakt, te Mura kanë besim të madh te Daku. Ai sezonin e kaluar shënoi pesë gola dhe asistoi pesë të tjerë në 16 ndeshje. Daku u përshëndet pas përfundimit të sezonit të kaluar me drejtuesit dhe bashkëlojtarët e klubit slloven. Nisi përgatitjet me klubin e Osijekut, por u kthye sërish te Mura. Dhe sërish është huazuar nga klubi korat, me të cilin ka kontratë deri në qershor të vitit 2024. Te Osijeku, Daku u transferua nga Llapi. Osijeku e huazoi edhe dy herë të tjera Dakun, te Kukësi dhe te Ballkani. Te Ballkani shpërtheu duke u bërë edhe golashënuesi më i mirë i Superligës. Daku është nga Gjilani, ndërsa ka luajtur edhe për Hajvalinë në Kosovë.

“Besimin ndaj meje që e kanë në klubin e Muras e krahasoj me besimin që ma kanë dhënë te Llapi dhe Ballkani. Dhe po ashtu po ua shpërblej me punë dhe gola. Nuk e kam menduar që në Slloveni të kem kaq shumë kërkesa, por nuk e kam diskutuar Muran, sepse kam pasur gjashtë muaj fantastikë këtu dhe nuk e kam diskutuar qëndrimin te Mura”, ka thënë Daku.

Ai tregon se ka shumë klube të interesuara për të, që e vëzhgojnë vazhdimisht.

“Ka shumë klube të interesuara dhe jam rregullisht në vëzhgim nga klube që luajnë në kampionatet më të forta në Evropë. Por, po pres tani për tani. Synimi im këtë sezon është ta mbyll në mënyrën më të mirë me statistika të mira dhe pastaj të shoh se çka të bëj tutje”, ka thënë Daku.