Sport

Rrahmani beson se fillimi i mbarë për të, nisë nga San Marino

 

Natën e 19 korrikut dhe fushën e stadiumit “San Marino” në Serravalle, Albion Rrahmani do ta mbajë gjatë në mend. Sulmuesi i Ballkanit realizoi dy gola në fitoren e ekipit nga Suhareka në udhëtim te La Fiorita 4:0. Ndeshja ishte e vlefshme për rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. 21-vjeçari shënoi golin e dytë dhe të tretë për kampionin e Kosovës, duke u bërë ndër lojtarët më të rinj kosovar, që shënon në garat evropiane.

Ishte hera e parë që Rrahmani luajti titullar te Ballkani, në garat evropiane. Ndaj Zhalgirisit në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ai u paraqit si zëvendësues në minutat e fundit të ndeshjes. Ballkani u eliminua me rezultat të përgjithshëm 2:1 nga Championsi dhe garat tani po i vazhdon në Ligën e Konferencës.