3 perditesime
22:37

Llapi nuk ia del në Podgoricë, pëson 2:0

Llapi nuk ia doli të marr rezultat të favorshëm në ndeshjen e parë ndaj Buduqnostit të Podgoricës. Të enjten mbrëma në stadiumin e qytetit në Podgoricë, Llapi humbi 2:0 nga skuadra më e madhe e Malit të Zi.

Ishte ndeshja e parë e raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Sfida u vendos në pjesën e parë.

Për 1:0 realizoi sulmuesi i krahut, Lazar Mijoviq në minutën e 23-të.

Gjërat u vështirësuan për skuadrën e Tahir Batatinës në minutën e 30-të. Mbrojtësi i qendrës, Bianor, u ndëshkua direkt me karton të kuq. Ai si lojtar i fundit ndërhyri në mënyrë të palejuar ndaj Viktor Gjukanoviqit. Nuk vonoi shumë dhe Buduqnosti shënoi edhe golin e dytë. Në minutën e 32-të për 2:0 realizoi Urosh Ignjatoviq.

Gola të tjerë nuk kishte. Shifrat dëshmojnë se Buduqnosti ka dominuar në fushë. I ka krijuar 17 raste për gol, në krahasim me Llapin që i kishte shtatë.

Skuadra nga Podgorica kishte nëntë goditje në kornizë të portës, ndërsa Llapi i kishte katër.

Llapin e pret punë e vështirë për ta përmbysur rezultatin në ndeshjen e kthimit, që e luan pas një jave në Prishtinë.

Llapi për herë të dytë rresht po paraqitet në Ligën e Konferencës. Vjet e kishte ndalur Shkupi që në nismë.

21:06

Llapi pëson edhe golin e dytë

Llapi ka pësuar edhe golin e dytë në Podgoricë.

Buduqnosti prej minutës së 32-të po udhëheq 2:0.

Golin e dytë e shënoi Urosh Ignjatoviq.

Llapi po ashtu ka mbetur me dhjetë lojtarë në fushë.

20:58

Llapi po pëson në Podgoricë

Llapi është duke pësuar 1:0 nga Buduqonisti në Podgoricë. Skuadrën vendase në epërsi e ka kaluar Lazar Mijoviq në minutën e 23-të.

Është kjo ndeshja e parë e raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës.

19:31

Edhe Llapi publikon formacionin

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka vendosur për formacionin startues për ndeshjen ndaj Buduqnostit të Malit të Zi. Ndeshja e parë në mes të Buduqnostit dhe Llapit luhet nga ora 20:30 në Podgoricë dhe i takon raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Batatina ka vendosur formacionin 4-2-3-1. Në portë është ilir Avdyli, ndërsa katërshja e mbrojtjes përbëhet nga Bujar Idrizi, Ilir Krasniqi, Bianor dhe Fernandinho.

Në qendër të mesfushës do të paraqiten Kushtrim Shabani dhe Arbnor Ramadani. Pra tyre do të luajnë Adem Maliqi, Francisco Rivera dhe Gerhard Progni. Në qendër të sulmit do të jetë Alef Firmino.