Sport

Lëndimi i Putellas zbeh gjasat e Spanjës për triumf në “Euro 2022”

Ambiciet e Spanjës për të shënuar sukses në skenën ndërkombëtare te futbollistet, përkatësisht në “Euro 2022”, janë goditur fort pasi fituesja e “Topit të Artë”, Alexia Putellas, lëndoi rëndë gjurin.

Mesfushorja e Barcelonës pritej të ishte një nga yjtë që do të shkëlqejnë në turne, deri në momentin kur këputi ligamentin kryqëzor të përparmë në stërvitje të martën.

Spanja ishte favorite për ta fituar të gjithë turneun, falë edhe ngritjes së madhe të Barçës, që është kthyer në forcë dominuese në nivel klubesh.

Putellas është futbollistja e dytë e rëndësishme që do të mbetet jashtë garës brenda pak javësh. Golashënuesja më e mirë, Jennifer Hermoso, po ashtu pësoi lëndim të gjurit.

“23 Alexias....për një ëndërr”, ka shkruar mediumi spanjoll “Marca” në ballinë të mërkurën, me një fotografi të anëtareve të mbetura të skuadrës.

Lëndimi i Putellas ka goditur rëndë shpresat e Spanjës për triumf në Evropian, ka shkruar AFP-ja të mërkurën.

28-vjeçarja ishte ikonë e stadiumit “Camp Nou”. Emri i saj u thirr nga 90 mijë shikues gjatë fitores së Barçës në Ligën e Kampionëve kundër Real Madridit më herët gjatë këtij viti. Ajo ndeshje e theu edhe rekordin e shikueshmërisë në një ndeshje të futbollit të femrave.

“E djeshmja ishte një ditë e rëndë”, ka thënë të mërkurën bashkëlojtarja e Putellas në nivel klubi dhe përfaqësueseje, Patricia Guijarro.

“Jemi të dëshpëruara para nisjes, por jemi trefish më të vendosura”, tha ajo.

Guijarro është një nga nëntë lojtaret e Barcelonës që kanë mbetur në skuadrën spanjolle.

Skuadra e Barcelonës në konkurrencën e femrave e fitoi titullin e Spanjës edicionin e kaluar me 30 fitore nga po aq ndeshje, duke shënuar 159 gola e duke pësuar vetëm njëmbëdhjetë.

Lojtaret e Barçës po ashtu shkuan në finale të Ligës së Kampionëve, ndonëse dështuan ta mbrojnë trofeun dhe tripletën, pasi u mposhtën nga Lyoni.

Tani pason pyetja nëse ngritja e ekipit nga Katalunja mund ta shtyjë Spanjën në të njëjtën rrugë sikur Barça e Pep Guardiolas që kontribuoi në triumfin në dy Kampionate Evropiane, të vitit 2008 dhe 2012, si dhe në Kupën e Botës që u fitua në mes të këtyre dy Evropianëve.

“Jemi lojtare që kemi luajtur për kaq shumë vjet së bashku, e njohim njëra-tjetrën mirë”, tha Leila Ouhabi, e cila vetëm sa është larguar nga Barcelona për t’iu bashkuar Manchester Cityt.

“Kuptohemi shumë, është mirë dhe është pozitive kur ke lidhje me bashkëlojtare të cilat i njeh nga afër për kaq shumë vjet”.

Irene Paredes dhe Mapi Leon do të vazhdojnë ta formojnë dyshen më të fortë të turneut.

Prezenca e Guijarros dhe Aitana Bonmatit do të thotë se Spanja do ta ketë një prej mesfushave më të talentuara, pavarësisht lëndimit të Putellas.

Por ka mbetur vetëm pak kohë që “La Roja” t’i shërojë plagët, pasi kjo përfaqësuese e gjen veten në grupin e vdekjes, bashkë me tetë herë fituesen, Gjermaninë, finalisten e vitit 2017, Danimarkën, dhe Finlandën.

Kanë kaluar 25 vjet qëkur Spanja për herë të fundit ka arritur në gjysmëfinale të një Kampionati Evropian në konkurrencë të femrave, ndërsa në Kupë të Botës, paraqitja më e mirë e saj ka qenë kur është eliminuar nga SHBA-ja në një të tetën e finales, para tre vjetësh.

Tani spanjollet duhet ta përballojnë peshën e madhe të pritshmërisë, si dhe humbjen e lojtares kryesore.

“Duket sikur nëse nuk fitojmë apo eliminohemi, do të ketë dramë”, ka thënë Leon.

“Nga jashtë ka presion të panevojshëm. Brenda skuadrës çdo gjë është shumë pozitive dhe secila është duke shikuar para drejt turneut, por nuk është e lehtë”.

Kampionati Evropian 2022 në konkurrencë të femrave ka nisur të mërkurën në mbrëmje, me duelin mes Anglisë nikoqire dhe Austrisë.

Kjo ndeshje i takoi Grupit A.