Sport

Thaqi: Pjesa e parë mund të mbyllej 4:0 për Ballkanin

Mbrojtësi Armend Thaqi ka thënë se Ballkani ka mundur ta mbyllë pjesën e parë me avantazh 4:0 përballë Zhalgirisit të Lituanisë.

Ai ka thënë se Ballkani ka dominuar ndeshjen kundër kampionit të Lituanisë. Ndeshja në mes të Ballkanit dhe Zhalgirisit përfundoi pa fitues, 1:1. Kjo përballje e luajtur të martën në Prishtinë i takoi raundit të parë të Ligës së Kampionëve. Për Ballkanin ishte debutim në kualifikimet e Championsit.

Ndeshja e kthimit luhet pas një jave në Lituani.

“Për klubin ka qenë një paraqitje e mirë, pasi e pamë të gjithë që dominuam kundërshtarin. Pjesa e parë ka mundur të jetë 4:0. Pësuam një gol që nuk është dashur nga ndërprerja. Na mbetet që ndeshjen e ardhshme të arrijmë rezultat të mirë për të kaluar tutje. E pamë që ky kundërshtar është i kalueshëm. Nuk na rrezikoi në asnjë rast. E kemi pësuar nga ndërprerja pas një moskoordinimi të mirë nga reparti defensiv. Nga ajo që treguam sot duhet të shkojmë të luajmë një ndeshje të madhe. Ne ishim shumë superior kundër tyre”, ka thënë Thaqi.