Shefki Kuqi e njeh mirë futbollin e Finlandës. Ka drejtuar tri klube në fillimet e tij si trajner, ndërsa për Finlandën i ka luajtur 62 ndeshje, në të cilat ka shënuar tetë gola.
Së fundmi Kuqi ka drejtuar Inter Turkun, kundërshtarin e Dritës së Gjilanit. Para Inter Turkut, Kuqi 45-vjeçar drejtoi edhe skuadrat Honka dhe PK-35. Që prej largimit nga Inter Turku është i papunë.
Kuqi vlerëson se Inter Turku është kundërshtar i kalueshëm për Dritën. Ndeshja e parë në mes të Inter Turkut dhe Dritës luhet të mërkurën nga ora 17:00. Ndeshja luhet në Turku të Finlandës dhe i takon raundit të parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Ndeshja e kthimit do të luhet në Prishtinë më 12 korrik.
“Është një klub me shumë potencial dhe arsye që pata vendosur të shkoja, ka qenë potenciali. Por nga ajo periudhë kur unë kam qenë, ka ndryshuar shumë. Jo vetëm Inter Turku, por edhe klubet e tjera të Finlandës kanë pësuar rënie. Nëse e krahasojmë me Dritën, nuk besoj që ka diferencë në mes dy klubeve. Drita besoj se mund ta kalojë Inter Turkun. Drita ka bërë një përvojë, pati sukses të mirë, por nuk do të thotë që mund ta ketë suksesin e njëjtë. Por, duke pasur parasysh kundërshtarin, ka gjasa të mira të kalojë në raundin tjetër”, ka thënë Kuqi të martën për KOHËN.
Drita të mërkurën luan në stadiumin ku Kosova pati fituar pikën e parë në rrugëtimin e saj në kualifikimet për Botëror dhe Evropian, pas pranimit në UEFA dhe FIFA. Ndeshja në mes të Kosovës dhe Finlandës ishte zhvilluar më 6 shtator të vitit 2016 dhe kishte përfunduar 1:1. Është viti kur Kuqi mori detyrën e trajnerit te Inter Turku. Ai ishte emëruar më 3 gusht të atij viti. Qëndroi deri në vitin 2017.
Te Interi finlandez kishte një mision.
“Dy muaj pa përfunduar kampionati mora përsipër drejtimin e Inter Turkut. Biseda me presidentin ka nisur se si unë ta bëj gati ekipin për ta kthyer sërish në elitë të Finlandës, sepse ishin të dorëzuar. Por, unë i thashë që kemi potencial për të mbetur në elitë. Në një mënyrë në klub ishin dorëzuar. Për një periudhë të shkurtër u mundova të ndryshoja disa gjëra. Po të fitonim ndeshjen e fundit ne do të ishim lart në tabelë, por u desh që mbijetesën ta siguronim nëpërmjet barazhit. Solla një rregull në klub, pra bëra që mëngjesi dhe dreka të përgatiteshin në klub. U mundova në mënyrë më profesionale”, ka theksuar Kuqi. “Një mision kam përfunduar në Inter Turku. Qëllimi ka qenë të mbijetoja, ndërsa në sezonin pasues të sigurojmë Evropën. Klubin e kam lënë në pozitën e katërt apo të pestë, pa ndonjë diferencë të madhe të pikëve me vendet e para”.
Në klubin finlandez që dy vjet nuk ka asnjë futbollist shqiptar. Në vitin 2016, sa Kuqi ishte trajner i Inter Turkut, në skuadër kishte gjashtë futbollistë shqiptarë. Pjesë të ekipit sulmuesi i shumë skuadrave angleze kishte Egzon Belicën, Erfan Zenelin, Albion Ademin, Alban Feratin, Bajram Nebihin dhe vëllanë e vogël, Njazi Kuqin.
Kuqi thotë se Inter Turku është një qytet që nuk ka shumë shqiptarë. Tregon se Inter Turku njihet për numrin e madh të lojtarëve të huaj.
“Qëllimi im ka qenë të ndryshoj mentalitetin. Turku është një zonë në vete. Si qytet, Turku është më ndryshe se Helsinki. Unë nisa të bëja ndryshimin. Fillova të sjell një filozofi, por puna nuk shkon nganjëherë ashtu siç mendon trajneri dhe vendosa të largohem. Ka një stadium që nuk është modern, por i plotëson kushtet. Në shumicën e klubeve buxheti është në rënie. Turku nuk ka shumë shqiptarë, por ka pasur gjithnjë lojtarë të huaj shumë”, është shprehur Kuqi.
Kuqi tregon se klubet finlandeze nuk kanë buxhet të madh. Lojtarët, siç thotë Kuqi, sa drejtonte Inter Turkun paguheshin deri në 7 mijë euro në muaj. Drita ka lojtarë që paguhen nga 7 mijë euro në muaj.
“Helsinki dallohet në të gjitha aspektet, është mbi të gjitha. Ku në tre vjetet e fundit ka rritje, ndërsa Interi sa ka qenë në duart e Stefan Hakans, që ka mundur vetë ta menaxhoj klubin, ka qenë mirë. Në atë kohë sa kam qenë unë është folur që një pagë e lojtarit të jetë 5 mijë, 6 mijë apo 7 mijë euro. I biri i presidentit ka qenë edhe në atë kohë kundër, pasi nuk ka interes shumë për futboll”, ka thënë Kuqi.
Inter Turku, i themeluar në vitin 1990, merr pjesë në garat evropiane që prej vitit 2005. Suksesin më të madh e arriti në edicionin 2010/2011. Kaloi deri në raundin e tretë të kualifikimeve për Ligën e Evropës. Në të njëjtin raund garash kualifikuese të Ligës së Evropës u ndal edhe Drita në edicionin 2020/2021. U ndal nga Legia e Varshavës. Për Dritën është edicioni i katërt që merr pjesë në garat kontinentale.