Sport

Maxhuni vendimtar në fitoren e Finlandës ndaj Kroacisë

Përfaqësuesja e Finlandës në basketboll ka shënuar fitore të madhe të dielën mbrëma në Rijekë. Finlanda e mposhti Kroacinë me shifrat 81:79, falë shënimit për tri pikë, katër sekonda para fundit. Ishte Petteri Koponen që realizoi për tri pikë kur kishin mbetur vetëm edhe katër sekonda deri në fund. Kroacia ishte duke udhëhequr 79:78, por Koponen ruajti qetësinë për të siguruar fitoren.

Ishte kjo ndeshja e fundit e raundit të parë kualifikues për Botërorin 2023. Finlanda ka avancuar në raundin e dytë si e para e grupit C. Kishte bilanc prej pesë fitore e një humbje. Sllovenia u rendit e dyta me katër fitore e dy humbje. Suedia dhe Kroacia nuk avancuan. Suedia kishte dy fitore e katër humbje, ndërsa Kroacia vetëm një fitore e pesë humbje.

Basketbollisti kosovar, Edon Maxhuni luajti mbi 19 minuta për Finlandën. Ai ndeshjen e mbylli me shtatë pikë. I kishte edhe pesë asistime e dy kërcime. Madje Maxhuni realizoi treshe vendimtare. Te rezultati 79:75 në të mirë të Kroacisë, kur kishin mbetur edhe 23 sekonda, Maxhuni realizoi për 79:78 dhe mundësoi dramën në fund.