Të enjten Kosovare Asllani firmosi për dy vjet me AC Milan, klubin e madh italian që për pak dështoi të kualifikohet në Ligën e Kampionëve këtë vit dhe që shpresojnë të fitojnë trofe në të ardhmen.
Kur futbollistja e Suedisë u prezantua nga AC Milan, reagimet e tifozëve ishin pozitive. Kjo nuk ka kaluar pa u vërejtur nga 32-vjeçarja me rrënjë nga Mitrovica.
“Jam pranuar shumë mirë. Ishin shumë profesionalë dhe ndien se AC Milan është klub i madh me bazë të madhe tifozësh. Historikisht është një prej klubeve të mëdha dhe kjo ndihet”, ka thënë Asllani të premten në një intervistë për “fotbollskanalen.se”.
Gjëja që e inspiron Kosovaren është përfshirja në ndërtimin e një gjëje. Kur iu bashkua Manchester Cityt, klubi ishte në ngritje. Kjo ndodhi edhe te Paris Saint Germaini e sidomos te Real Madridi, ku u bë “galaktikja” e parë e klubit.
“Dua të krijoi histori. Ishte njëjtë në PSG, City dhe Real Madridi. Tani kam ardhur në një klub tjetër, ku ka shumë lojtare ndërkombëtare dhe lojtare të ekipit përfaqësues. Kalova në klubin që do t’i bëj hapat e fundit dhe që ambicia është të kualifikohet në Ligën e Kampionëve dhe të luftojë për trofe. Ndiej që liga italiane është në rritje. Tani është profesionale dhe kjo i jep mundësi ekipit më shumë mundësi për të sjellë lojtare”, ka shtuar Asllani.
Ajo është pyetur nëse ishte vendimtare që liga italiane tani është profesionale.
“Përfundimisht ishte shumë e rëndësishme. Është shumë e rëndësishme për futbollin italian dhe për klubin të ketë mundësi të ofrojë kushte më të mira për lojtaret dhe po ashtu të sjellë më shumë lojtare ndërkombëtare. Është e qartë që ishte faktor i rëndësishëm që liga u bë profesionale.
Transferimi i 32-vjeçares është me vlerë të madhe për Milanin. Asllani ka pasur oferta nga klube të mëdha në Evropë dhe në SHBA.
“Kam pasur oferta nga SHBA-ja, Anglia, Franca. Nga liga të mëdha dhe klube të mëdha. Unë bëj atë që ndiej se është më e mira për mua dhe atë që besoj se është më e mira, jo atë që pritet nga unë. Ndiej se kam mjaftueshëm përvojë për të kontribuuar në ligën italiane. Në aspektin personal isha shumë kurioze për ligën italiane dhe mënyrën se si luhet atje. Këto ishin vendimtare. Më pas është shumë me peshë që klubi është aq i madh, sidomos ekipi i futbollistëve. Milani po ashtu është interesuar gjatë për mua. Por vendimtare ishte dëshira ime për të luajtur në ligën italiane”, thotë Kosovare Asllani.