Shkurt i zgjati aventura mundësit Egzon Shala në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Oran të Algjerisë. I shkurtë Shala ishte edhe në deklaratën pas disfatës së pësuar të hënën nga mundësi turk Salim Erçan.
Shala e mbylli pa pikë të fituar luftën përballë kundërshtarit në kategorinë deri 125 kilogramë. Humbi 10:0, ndërsa eliminimin e hershëm e arsyetoi duke thënë se “nuk e kishte ditën”.
“Thjesht, nuk ishte dita ime më e mirë”, ka thënë Shala të hënën për KOHËN.
Ditë e mirë e hëna nuk ishte as për mundësin tjetër të Kosovës, Alban Sopa. Sopa garoi në kategorinë deri 74 kilogramë dhe humbi pa pikë të fituar përballë italianit Jacopo Masotti. Humbi 4:0. Në mungesë të garuesve, Shala e Sopa garuan direkt në çerekfinale dhe u ndalën po aty.
Shala ishte bartës i flamurit në ceremoninë hapëse të Lojërave Mesdhetare së bashku me karateisten Fortesa Orana.
Pritjet nga Shala ishin të mëdha. Ai ishte pjesëmarrës me normë në lojërat olimpike “Tokio 2020” që u mbajtën verën e vitit të kaluar. Edhe në Olimpiadë, Shala u ndal në çerekfinale. Në Tokio ai pati fituar në rrethin e parë.
Pritje të mëdha kishte edhe nga boksieri Lorent Murati. Ai ka pësuar disfatë po ashtu në luftën e parë. Boksieri i kategorisë deri 57 kilogramë humbi nga siriani Belal Joukhdar. Humbi 2:1 me vlerësim të gjyqtarëve. Trajneri i Kosovës, Besim Brahimi, thotë se vlerësimi nuk ka qenë korrekt.
“Lorent Murati bëri një boks spektakolar. Ia humbën ndeshjen. Lorenti e rrahu kundërshtarin, ndërsa pikët nuk i jepeshin nga gjyqtarët. Gjyqtarët janë shumica afrikanë. Vetëm Latif Demolli dhe një italian janë nga Evropa, të tjerët janë nga kjo anë”, ka thënë Brahimi për KOHËN.
Të dielën u eliminua edhe boksieri Patriot Behrami, ndërsa të mërkurën në ring do të ngjiten vëllezërit Bajoku, Shpejtimi dhe Bashkimi. Bashkimi përballë do ta ketë boksierin nga Turqia, Samet Gumus, kurse Shpejtimi në çerekfinale për kundërshtar do ta ketë boksierin nga Egjipti, Essam Amen. Shpejtimi të dielën fitoi në kategorinë deri 63 kilogramë përballë boksierit nga Tunizia, Abdesalem Sassi.
Ndërkohë, edhe në sportin e tenisit Kosova nuk arriti rezultat të hënën. Tenisti Vullnet Tashi është mposhtur 2:0 në sete. Tashi pësoi disfatë nga tenisti i Tunizisë, Aziz Ouakaa. Setin e parë e humbi 6:3, ndërsa të dytin 6:2. Të martën do të paraqitet edhe tenistja Vesa Gjinaj. Ajo e ka kaluar rrethin e parë pa lojë.
Garën pa ndonjë gjurmë e kanë mbyllur edhe gjimnastët Elvis Çitaku e Valëza Rama. Dhe kështu Kosova mbetet ende larg medaljeve në ngjarjen shumësportëshe. Suksesi i Shpejtim Bajokut është i vetmi deri tani. Ndërkohë, situata do të ndryshojë prej së mërkurës kur garimin e nisin xhudistët.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.