Sport

Pas transferimit te Frankfurti, Goetze kërkon një vend te Gjermania për Botëror

Fituesi i Kupës së Botës, Mario Goetze, është paralajmëruar për një kthim të mundshëm te Përfaqësuesja e Gjermanisë nga ish-përzgjedhësi Joachim Loeë, pasi u rikthye në Bundesligë duke nënshkruar për ekipin e Ligës së Kampionëve, Eintracht Frankfurtin. Goetze u prezantua të enjten te Frankfurti, ekip të cilit iu bashkua nga nënkampioni i Holandës, PSV Eindhoveni. Me Frankfurtin, mesfushori gjerman firmosi kontratë deri në verën e vitit 2025.

“Mezi pres me padurim të luaj për Eintracht Frankfurtin”, tha Goetze, i cili shënoi golin e fitores në kohën shtesë për Gjermaninë në finale ndaj Argjentinës në Botërorin e vitit 2014. “Klubi është zhvilluar në mënyrë të jashtëzakonshme dhe ka hyrë në një rrugë emocionuese dhe ambicioze. Jam i lumtur që do të jem pjesë e këtij rrugëtimi”.

Eintracht Frankfurti është kualifikuar në Ligën e Kampionëve për herë të parë që nga humbja e finales së Kupës Evropiane të vitit 1960 nga Real Madridi, pasi triumfoi në Ligën e Evropës sezonin e kaluar.

Drejtori sportiv i klubit, Markus Kroesche, tha se Goetze hodhi poshtë “ofertat e shumta” për t'u bashkuar me Frankfurtin.

“Na ka munguar një lloj lojtari si ai deri më tani”, pranoi Kroesche.

Loew, i cili e inkuadroi Goetzen si zëvendësues në finalen e Kupës së Botës, po e mbështet mesfushorin për t’u kthye në skenën ndërkombëtare, pavarësisht se ka luajtur për herë të fundit për Gjermaninë në vitin 2017. Sipas tij, Goetze mund të ftohet nga Gjermania për Botërorin “Katari 2022” nëse tregon paraqitje të mira në fillim të sezonit 2022/23.

“Ai i ka të gjitha cilësitë për këtë dhe jam i bindur se do të kthehet te Gjermania”, tha Loew, i cili u largua nga posti i përzgjedhësit pas “Euro 2020”. “Ai do të luajë sërish në Ligën e Kampionëve, do të ketë fokusin këtu në Bundesligë dhe do të dëshirojë ta vendosë veten për një vend në Kupën e Botës”.

Goetze rindërtoi besimin e tij gjatë periudhës së tij dyvjeçare në Holandë, te PSV Eindhoveni, pasi luftoi për ta gjetur formën në Bayern Muenchen dhe Borussia Dortmund. Si një adoleshent i ri në sezonin 2010/11, Goetze ndihmoi Dortmundin të fitonte titujt e parë të Bundesligës. Në atë kohë, legjenda gjermane Franz Beckenbauer e përshkroi Goetzen si “të pamundur për t'u ndalur” dhe e krahasoi atë me Lionel Messin. Bayerni e transferoi Goetzen në vitin 2013 duke paguar klauzolën e lirimit në kontratën e tij me Dortmundin në vlerë prej 37 milionë eurosh. Megjithatë, Goetze nuk arriti kurrë të sigurojë një vend në ekipin e parë nën drejtimin e Pep Guardiolës në Bayern, duke u larguar në vitin 2016 për t'u kthyer në Dortmund, ku një çrregullim metabolik e mënjanoi atë në fillim të vitit 2017, pas së cilës ai luftoi për të rifituar formën.

“Pas problemeve për ta gjetur formën, shkova në Holandë te PSV-ja dhe aty më duket se rilinda. Tani jam i gatshëm për ta dëshmuar edhe një herë veten në Bundesligë”, paralajmëroi Goetze.

Ai u largua nga Bundesliga në vitin 2020 për të shkuar te PSV Eindhoveni, ku shënoi 18 gola dhe bëri po aq asistime gjatë dy sezoneve të fundit.