Trajneri i xhudos Driton Kuka, ka thënë se është koha që Evropa ta ndalë diskriminimin ndaj qytetarëve të Kosovës dhe t’i liberalizojë vizat.
Ai e ka postuar foton nga tabela përfundimtare e xhudos në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, ku Kosova me të artat e Distria Krasniqit e Nora Gjakovës, përfundoi e dyta në renditje përfundimtare në xhudo, pas Japonisë.
“Shteti me më pak se 2 milionë banorë që gjendet në zemër të Evropës, shteti ynë ishte nr 1 prej krejt shteteve evropiane! Tregon se këndej ka vlera sa të duash, por...Evropa po diskriminon Kosovën me mosliberalizim të vizave, shteti i vetëm në Evropë! Po shpresoj që sot kemi ndonjë lajm pozitiv, edhepse personalisht s’po besoj. Krejt arsyetimet që po mundohen me i dhënë shtetet hezituese si Franca, Holanda e ndonjë tjetër, aspak s’qëndrojnë! E turpshme dhe irrituese që ne si popull jemi të robëruar në mes të Evropës! Stop diskriminimit të Kosovës, u ba shumë! Leni fëmijët tanë të lëvizin lirshëm si krejt fëmijët e çdo shteti evropian!” – ka shkruar Kuka që vitin e kaluar u zgjodh trajneri më i mirë në botë.
