Sport

Polonia përjashton lojtarin pasi iu bashkua Spartakut të Moskës

Maciej Rybus ---suspendim Poloni

Mbrojtësi i krahut të majtë, Maciej Rybus, është përjashtuar nga Përfaqësuesja e Polonisë pasi ka vendosur që karrierën ta vazhdojë në Rusi, duke iu bashkuar Spartakut të Moskës, ka njoftuar “The Athletic” të hënën. Po ashtu, edhe përzgjedhësi i Polonisë, Czeslaw Michniewicz, ka bërë të ditur se nuk do ta përfshijë mbrojtësin Rybus në listën për Kampionatin Botëror “Katari 2022” që nis në nëntor të këtij viti. Përfaqësuesja e Polonisë kishte refuzuar të luante kundër Rusisë në gjysmëfinalen e plejofit për kualifikim në Botëror në muajin mars për shkak të pushimit të Ukrainës, i cili nisi më 24 mars.

Që nga fillimi i konfliktit, Polonia ka pranuar mbi 3.5 milionë refugjatë nga Ukraina. Polonia është një aleat i vendosur i Kievit dhe ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj financiarë të Ukrainës, që Moska e përshkruan si një “operacion special”. Rybus, 32-vjeçar, më herët kishte luajtur për ekipin tjetër nga Moska, Lokomotiva, prej vitit 2017 deri në vitin 2022. Megjithatë, te Spartaku ai është transferuar si futbollist i lirë. Rybus ishte pjesë e Polonisë për ndeshjet e këtij muaji, por ai nuk do të ftohet as për grumbullimin e shtatorit. Në Federatën e Futbollit të Polonisë kanë mbetur të zhgënjyer me vendimin e Rybus për ta vazhduar karrierën në futbollin rus. Sipas federatës, çështja përqendrohet tek Rybus – i cili ka gruan ruse – që ka zgjedhur të qëndrojë në Rusi, në kontrast me bashkëlojtarët e tij te Polonia, Grzegorz Krychowiak dhe Sebastian Szymanski, të cilët “të dy janë të gatshëm të largohen nga Rusia”. Për dallim prej Rybusit, mesfushori Krychowiak përdori rregulloret e FIFA-s që lejojnë lojtarët në ligat ruse të pezullojnë në mënyrë të njëanshme kontratën e tyre. Ai iu bashkua AEK Athinës në muajin mars në formë huazimi afatshkurtër deri në fund të sezonit. Megjithatë, Krychowiak nuk e ka ndërmend të rikthehet te Krasnodari, ekip të cilit iu bashkua vitin e shkuar nga Lokomotiva e Moskës.

“Përzgjedhësi i ekipit tonë, Czeslaw Michniewicz, bisedoi me Maciej Rybusin, i cili aktualisht po qëndronte në Poloni, pasi kampi stërvitor i kombëtares përfundoi javën e kaluar. Trajneri e informoi lojtarin se, për shkak të situatës së tij aktuale në klub, ai nuk do të thirrej për kampin stërvitor të shtatorit dhe nuk do të merret parasysh për të qenë pjesë e ekipit që do të shkojë në Botërorin e Katarit”, thuhet në njoftimin e federatës polake.

Rybus ka bërë 66 paraqitje për Poloninë, duke u bërë njëri prej mbrojtësve me më së shumti paraqitje në përfaqësuese. Rybus ka debutuar në vitin 2019 dhe ka shënuar edhe dy gola. Karrierën si profesionist ai e ka nisur te Legia Varshava në vitin 2007, kurse ka luajtur edhe te Terek Grozny e Lyoni. Përfaqësuesja e Polonisë ka arritur të kualifikohet për Botërorin e këtij, pasi në finalen e plejofit triumfoi ndaj Suedisë. Në Katar Polonia do të paraqitet në Grupin C, së bashku me Argjentinën, Meksikën dhe Arabinë Saudite.