4 perditesime
19:53

Kosova starton me fitore në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve

Kosova nuk ka lejuar befasi në ndeshjen ndaj Qipros në Larnaca. Të enjten pasdite, përfaqësuesja e Kosovës në futboll fitoi 2:0 ndaj qipriotëve, që vlerësohen më të dobëtit e Grupit 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve.

Me ndeshjen në Larnaca për Kosovën ka nisur edicioni i tretë i Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Kosova llogaritej favorite ndaj Qipros dhe këtë e dëshmoi në fushë në pjesën e dytë të takimit. Pjesa e parë ishte e zbehtë për “Dardanët”, që rrezikuan vetëm në minutën e 45-të përmes Edon Zhegrovës. Ndërkohë në minutën e 41-të, Qipro kishte një rast të mirë, por Pieros Sotiriu nuk ishte i saktë.

Figurë tjetër shfaqi Kosova në pjesën e dytë. Të përzgjedhurit e Alain Giresse dominuan plotësisht dhe rreshtuan rastet. E mbajtën Qipron thuajse në portë dhe vetëm pritej kur do të shënohej goli i parë.

Ishte Valon Berisha që zhbllokoi rezultatin në minutën e 65-të. Ai shënoi për 1:0 me goditje të bukur nga distanca. Për Berishën asistoi Vedat Muriqi.

Lojtarët e Kosovës nuk u ndalën, ndërkohë që nuk u testuan asnjëherë në mbrojtje. Golin e dytë për Kosovën e shënoi Edon Zhegrova në minutën e 78-të.

Ishte Florian Loshaj që gjeti në zonë Zhegrovë, që pasi u lirua mjeshtërisht nga një mbrojtës qipriot, gjuajti saktë.

Ka pasur ndryshime në formacionin e Kosovës, në krahasim me ciklin e kaluar. Në qendër të mbrojtjes janë paraqitur kapiteni Amir Rrahmani e Mirlind Kryeziu, që e luajti ndeshjen e parë zyrtare. Në krahun e majtë u paraqit Fidan Aliti, ndërsa Lirim Kastrati mbuloi krahun e djathtë të mbrojtjes. Në portë ishte Aro Muriq.

Mesfusha me tre lojtarë përbëhej nga Blendi Idrizi, Betim Fazliji e Valon Berisha. Ndërkohë në qendër të sulmit ishte Vedat Muriqi i zakonshëm. Edon Zhegrova mbuloi krahun e djathtë të sulmit, ndërsa Milot Rashica të djathtin.

Falë paraqitjes impresive në pjesën e dytë, Kosova kishte dyfish raste më shumë se Qipro. Ndërkohë edhe rezultati dëshmon atë që skuadrat shfaqën në fushë.

Kosova ndeshjen e dytë e luan të dielën ndaj Greqisë. Ndeshja luhet në “Fadil Vokrri” nga ora 20:45.

19:39

Liga e Kombeve: Zhegrova shënon për 2:0

Edon Zhegrova ka shënuar për epërsinë 2:0 të Kosovës ndaj Qipros.

Pasi mori top nga Florian Loshaj, Zhegrova u lirua mjeshtërisht nga një mbrojtës i Qipros dhe goditi saktë nga zona.

Zhegrova shënoi për 2:0 në minutën e 78-të.

Kosova po dominon plotësisht në pjesën e dytë. Golin mund ta shikoni këtu.

19:24

Liga e Kombeve: Berisha shënon supergol në Qipro

Pas sulmeve të njëpasnjëshme, Kosova ka kaluar në epërsi ndaj Qipros në Ligën e Kombeve, në udhëtimin në Larnaca.

“Dardanët” pjesën e dytë e nisën shumë mirë, ndërsa golin e parë e gjetën në minutën e 65-të.

Edon Zhegrova e nisi aksionin e minutës së 65-të, ndërsa pasimin final e bëri Vedat Muriqi.

Berisha më pas e plasoi topin bukur dhe e kaloi Kosovën në epërsi prej një goli.

 

19:14

Kosova shumë më e rrezikshme në pjesën e dytë

Kosova ka nisur furishëm pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Qipros. Pasi në pjesën e parë paraqitja e Kosovës ishte e zbehtë, të përzgjedhurit e Alain Giresse kanë rreshtuar rastet në fillim të pjesës së dytë. Por rezultati vazhdon të mbetet 0:0.

Rastin më të mirë e kishte Milot Rashica, që në minutën e 56-të gjuajti pranë portës.

18:51

Pa gola në pjesën e parë të ndeshjes Qipro – Kosovë

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, ka pasur telashe në pjesën e parë të ndeshjes ndaj Qipros.

Qipro e Kosova po luajnë në Larnaca, në ndeshjen e parë të Grupit të Dytë të Ligës C të Ligës së Kombeve. Pas pjesës së parë, rezultati është 0:0.

Më shumë nga loja kanë pasur qipriotët, që kishin rast të mirë shënimi në minutën e 41-të. Por Pieros Sotiriou gjuajti pranë portës.

Kosova ka pasur telashe në mbrotje, ndërsa në fund me një goditje nga distanca rrezikoi Edon Zhegrova, por portieri vendas intervenoi me sukses.

Qipro ka pasur gjashtë tentime për gol, ndërsa Kosova dy.