Edicioni i tretë i Ligës së Kombeve fillon këtë javë me shumë pjesëmarrës që mendojnë tashmë për Kampionatin Botëror “Katari 2022”. Përfaqësueset do të kenë një mundësi të rrallë për të luajtur disa ndeshje radhazi - praktikisht duke iu shërbyer si përgatitje parasezonale - pasi datat ndërkombëtare u zhvendosën në qershor për shkak të Kupës së Botës që fillon në muajin nëntor.
Disa përfaqësuese do të luajnë katër ndeshje në qershor dhe dy të tjera në shtator për të përfunduar fazën e grupeve të Ligës së Kombeve dyvjeçare përpara Kupës së Botës që do të mbahet në Katar.
“Ky është një garë që është vërtet afër Kampionatit Botëror, kështu që pa dyshim që këto ndeshje do të jenë kuptimplota”, tha mesfushori i Portugalisë, William Carvalho.
Liga e Kombeve nisi të mërkurën me Përfaqësuesen e Uellsit që luajti në udhëtim te Polonia në kuadër të Ligës A, që është niveli më i lartë i kësaj gare. Të enjten kulmi do të jetë ndeshja mes Spanjës, nënkampione e vitit të kaluar dhe Portugalisë, fituese e edicionit inaugurues të Ligës së Kombeve.
“Tashmë po mendojmë për Portugalinë, është fillimi i Ligës së Kombeve dhe duam të arrijmë në ‘Final Four’ dhe mbi të gjitha të përgatitemi për Kampionatin Botëror, i cili do të fillojë në një kohë të shkurtër dhe do të duhej patjetër të jemi gati ”, tha mbrojtësi i Spanjës, Dani Carvajal.
Për disa përfaqësuese si Uellsi, Liga e Kombeve fillon edhe para se të jetë në gjendje të kualifikohet në Kupën e Botës. Uellsi u paraqit kundër Polonisë pa disa prej titullarëve kryesorë, pasi kjo ndeshje erdhi vetëm katër ditë përpara se të luajë në finalen e plejofit për kualifikim në Botërorin e këtij viti.
Kampionia në fuqi e Ligës së Evropës, Franca, nis edicionin e tretë të premten në shtëpi kundër Danimarkës, ndërsa Përfaqësuesja e Holandës viziton Belgjikën.
“Për ne, të luash kundër Holandës është një derbi i vërtetë, një derbi futbolli, një rast i madh dhe është përgatitja perfekte për Kupën e Botës”, tha përzgjedhësi i Belgjikës, Roberto Martínez. “Aq sa duam t’i shijojmë lojërat dhe duam t’i shohim ndeshjet ashtu siç janë, ato sjellin atë dimension shtesë që po përgatitet për Kupën e Botës”.
Të shtunën Anglia është në Hungari dhe Gjermania në Itali, një nga përfaqësueset që ka të ngjarë të ketë më shumë për të luajtur në Ligën e Kombeve, pasi përsëri dështoi të kualifikohet në Botëror. Për Italinë, që është kampione e Evropës, kjo është hera e dytë rresht që nuk do të paraqitet në këtë ngjarje të madhe futbolli.
“Ne në sytë tanë duhet të jemi më të mirët e botës. Ne duam të vazhdojmë në këtë rrugë dhe do të shohim pas ndeshjeve se sa larg duhet të shkojmë ende”, tha përzgjedhësi i Gjermanisë, Hansi Flick, përpara katër ndeshjeve të Ligës së Kombeve në dhjetë ditë.
Italia dhe Anglia janë në të njëjtin grup dhe në ndeshjet e ardhshme do të luajnë një revansh të finales të “Euro 2020” të fituar nga italianët pas penalltive. Po ashtu, edhe Franca do të luajë kundër Kroacisë në një revansh të finales së Kampionatit Botëror të vitit 2018. Liga e Kombeve gjithashtu do t'u japë lojtarëve një shans që të përpiqen të sigurojnë vendin e tyre në Kupën e Botës nëse ata ia dalin të kenë paraqitje të mira në këto ndeshje që janë shumë afër turneut në Katar.
“Kjo është një thirrje e rëndësishme, me ndeshjet që vijnë pak para Kupës së Botës”, tha sulmuesi i Spanjës, Pablo Sarabia. “Ne duam t’i fitojmë këto katër ndeshje, ato do të jenë të rëndësishme për lojtarët dhe gjithashtu do të shërbejnë si përgatitje për Kupën e Botës, të cilën pa dyshim që duam ta fitojmë”.
Shumë trajnerë ka të ngjarë të ndërrojnë skuadrat e tyre në mënyrë të konsiderueshme në katër ndeshjet e këtij muaji, si për të testuar ashtu edhe për të pushuar lojtarët kryesorë pas një sezoni të gjatë dhe të mundimshëm. Përzgjedhësi i Belgjikës, Martinez, sigurisht që po e merr seriozisht Ligën e Kombeve. Ai tha se do të përdorë lojtarët e tij më të mirë për të testuar ekipin e tij përpara Kupës së Botës.
“Ky është kampi i vërtetë konkurrues për të gjithë lojtarët”, tha ai. “Kemi 14 ditë, katër ndeshje, diçka që nuk e kemi bërë kurrë më parë. Është e rëndësishme që ta kalojmë këtë kohë së bashku”.
Flick sfidoi lojtarët që ishin lënë jashtë skuadrës së tij prej 26 lojtarësh në Ligën e Kombeve për të vazhduar luftën për një vend në Kupën e Botës edhe nëse nuk thirreshin tani. Fituesit e katër grupeve në ligën kryesore - Liga A - të Ligës së Kombeve do të arrijnë në “Final Four”, me një nga përfaqësueset që kualifikohet e pritet të organizojë finalet në qershorin e vitit të ardhshëm.
Fituesit e grupeve në nivelet e ulëta – Liga B, C dhe D - do të fitojnë promovim, ndërsa ekipet e vendeve të fundit në dy nivelet e para do të bien poshtë.