Ishte 4 dhjetori i vitit 2014 kur formati i Ligës së Kombeve të UEFA-s u aprovua nga Komiteti Ekzekutiv i Konfederatës Evropiane të Futbollit. Ishte vendosur që pjesë e kësaj gare të re të UEFA-s të jenë përfaqësueset e të gjitha 54 anëtareve të Konfederatës Evropiane. Ndërkohë në vitin 2016, me pranimin e Kosovës, numri i anëtareve të UEFA-s u rrit në 55. Dhe rrjedhimisht edhe numri i përfaqësueseve pjesëmarrëse në Ligën e Kombeve. Që në vitin 2014, UEFA vendosi që ndeshjet e para të Ligës së Kombeve të zhvillohen prej shtatorit e deri në nëntor të vitit 2018.
UEFA vendosi për ta formuar garën e re në kohën kur rritej presioni ndaj saj për pranimin e Kosovës. Dhe rrjedhimisht Liga e Kombeve e UEFA-s doli në skenë afërsisht kur edhe Kosova u paraqit në skenën evropiane. Dhe të dyja po rriten bashkë.
Me ndeshjen Polonia – Uellsi, që luhet të mërkurën prej orës 18:00, nis edicioni i tretë i Ligës së Kombeve. Ndonëse ka ende shumë njerëz të futbollit që e kundërshtojnë këtë garë, shumë të tjerë vlerësojnë se ajo është e qëlluar dhe dukshëm më me peshë se miqësoret e shumta që luheshin në të kaluarën.
Liga e Kombeve ndahet në katër nivele, përkatësisht liga. Në Ligën A luajnë 16 përfaqësueset më të mira evropiane të ndara në katër grupe: Franca, Danimarka, Kroacia, Austria; Spanja, Portugalia, Zvicra, Çekia; Italia, Gjermania, Anglia, Hungaria; Belgjika, Holanda, Polonia, Uellsi. Në Ligën A garohet edhe për titull të kampionit të Ligës së Kombeve.
Në Ligën B janë: Ukraina, Skocia, Irlanda, Armenia; Islanda, Shqipëria, Izraeli; Bosnjë-Hercegovina, Finlanda, Rumania, Mali i Zi; Suedia, Norvegjia, Serbia, Sllovenia.
Këto përfaqësuese luajnë për avancim në Ligën A për edicionin e ardhshëm.
Në Ligën C janë: Turqia, Luksemburgu, Lituania, Ishujt Faroe; Irlanda e Veriut, Greqia, Kosova, Qipro; Sllovakia, Bjellorusia, Azerbajxhani, Kazakistani; Bullgaria, Maqedonia e Veriut, Gjeorgjia, Gjibraltari.
Ndërsa, Lihtenshtajni, Moldavia, Andorra, Letonia; Malta, Estonia, San Marino janë në Ligën D, përkatësisht në nivelin më të ulët të Ligës së Kombeve.
Për më tepër, Liga e Kombeve ofron tri bileta shtesë për kualifikim në Evropianin 2024. Dhe kjo vlerësohet vlerë e shtuar e kësaj gare të UEFA-s. Për Ligën A, B dhe C do të ketë plejof për kualifikim në Evropian. Sidomos për Ligën C, ku është Kosova, kjo vlerësohet me shumë rëndësi. Shumë prej përfaqësueseve të Ligës C nuk kualifikohen përmes kualifikimeve të rregullta dhe rastin e kërkojnë përmes plejofit. Kosova mund të jetë prej tyre. Fituesit e grupit, apo përfaqësueset tjera të renditura më mirë, do të luajnë në plejof, nëse paraprakisht nuk sigurojnë kualifikimin në Evropian përmes kualifikimeve të rregullta.
Për dallim nga kualifikimet, në Ligën e Kombeve cilësia e përfaqësueseve është e përafërt. Dhe kjo rrit gjasat për ndeshje të barabarta e interesante. Për shembull Kosova është në grupin 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve ku bëjnë pjesë edhe Irlanda e Veriut, Greqia e Qipro. Të tri përfaqësueset vlerësohen të përballueshme për Kosovën dhe me cilësi të përafërt me “Dardanët”.
Kosova fillon me ndeshje në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve, të enjten. Takohet me Qipron në Larnaca nga ora 18:00. Të dielën e pret Greqinë e më pas e pret edhe Irlandën e Veriut, më 9 qershor. Më 12 qershor Kosova luan në udhëtim me Greqinë. Dy ndeshje të tjera i ka në shtator. Më 24 shtator takohet në udhëtim me Irlandën e Veriut, ndërsa më 27 shtator e pret Qipron.
Orari për këtë vit ka ndryshuar goxha shumë për faktin se Botërori mbahet në nëntor e në dhjetor në Katar. Dhe zhvillimi i Botërorit në termin jo të zakonshëm ka ndikuar në gjithë orarin ndërkombëtar.
Kosova në edicionin e parë të Ligës së Kombeve, 2018/19, garoi në Ligën D. Por fitoi grupin ku ishin edhe Azerbajxhani, Ishujt Faroe dhe Malta. Pos që u promovua në Ligën C për edicionin e dytë, Kosova siguroi paraqitjen në plejof për kualifikim në “Euro 2020”. Humbi në gjysmëfinale të plejofit nga Maqedonia e Veriut, që ende është humbja më e dhimbshme dhe më e diskutueshme e përfaqësueses.
Në Ligën C, në edicionin 2020/2021, përkatësisht në edicionin e dytë, Kosova nuk shfaqi shumë. Mbeti e treta, prapa Sllovenisë që u promovua në B dhe Greqisë. Kosova mblodhi vetëm pesë pikë në gjashtë ndeshje, kurse e la prapa Moldavinë me një pikë.
Tani Liga D nuk jep plejof për kualifikim në Evropianin 2024. Por Liga D është e tejkaluar edhe për Kosovën. Shpresat janë të mëdha për promovim në Ligën B e po ashtu për kualifikim në Evropianin 2024 të “Dardanëve”.